Ilustrim - Foto: REL/Reuters

Tirana, Shkodra dhe Hasi, vatrat e “ndezura” të COVID-19 në Shqipëri

Harta e zonave të prekura me COVID-19 u zgjerua në Tiranë, Shkodër dhe Has të hënën, ndërsa numri i të prekurve nga virusi arriti në 377. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha në një deklaratë për mediat se në 24 orët e fundit ishin testuar 176 persona të dyshuar në të gjithë vendin, nga të cilët 16 rezultuan pozitivë.

Të dielën, një tjetër pacient i prekur nga COVID-19 humbi betejën me sëmundjen në spitalin Infektiv në Tiranë. Ish-boksieri Skënder Kurti, 61 vjeç, është viktima e 21-të e koronavirusit në Shqipëri.

Mes personave të infektuar, 66 po trajtohen në spitalin Infektiv dhe 7 të tjerë në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”, i kthyer tashmë në qendrën shëndetësore COVID 2. Njëmbëdhjetë pacientë janë të terapi intensive, ndërsa dy prej tyre në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe të intubuar.

Tabela: BIRN Albania/ Burimi: Ministria e Shëndetësisë

Në 24 orët e fundit në Shqipëri, vatrat më problematike të përhapjes së koronavirusit janë Tirana, Shkodra dhe Hasi. Në Tiranë numri i të infektuarve shkoi në 177 ose tre raste më shumë se një ditë më parë, ndërsa Shkodra është ngjitur në vendin e dytë me 44 raste të konfirmuara. Në 24 orët e fundit në Shkodër janë zbuluar 6 raste të reja me COVID-19.

Shtim të rasteve të infektuara ka shënuar edhe bashkia e vogël e Hasit, e cila ka tashmë 12 persona të infektuar. Në 24 orët e fundit, tre raste të reja kanë rezultuar pozitivë në Has.

“Nga hetimi epidemiologjik i kryer për zonat e Tiranës, Shkodrës dhe Hasit del se nuk janë respektuar masat e distancimit social dhe të kontrollit të përhapjes së infeksionit. Ministria e Shëndetësisë u kërkon edhe njëherë qytetarëve që masat t’i zbatojnë me rigorozitet edhe brenda rretheve familjare,” tha zv.ministrja Mira Rakacolli.

Nga fillimi i epidemisë, Shqipëria ka kryer 2571 testime gjithsej –nga të cilat gati 15 % kanë rezultuar pozitivë. Partia Demokratike në opozitë ka bërë apel për shtimin e numrit të testimeve, si një mënyrë për të kontrolluar më mirë sëmundjen.

Ndërkohë, rreth 30% e pacientëve në Shqipëri e kanë fituar tashmë betejën me sëmundjen. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 12 persona janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të të shëruarve në 116. /Reporter.al