Tirana nikoqire e samitit të Berlinit, dy kryeministrat konfirmojnë datën 16 tetor

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Gjermanisë, Olaf Scholz kanë konfirmuar se në kuadër të Procesit të Berlinit, takimi i radhës do të mbahet më 16 tetor të këtij viti.

Kancelari Scholz në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha që për herë të parë punimet e këtij Samiti do të mbahen në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë mënyrë samiti do të zhvillohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor. Në takimin e fundit pjesëmarrësit nënshkruan 3 marrëveshjet e rëndësishme, Shqipëria ishte vendi i parë i rajonit që i ratifikoi të gjitha marrëveshjet”, tha ai.

Kryeministri shqiptar Edi Rama poashtu konfirmoi se Tirana do të jetë nikoqire e punimeve të këtij samiti.

“Sot mund të shpallim edhe datën e propozuar nga pala gjermane dhe e pranuar prej nesh, që është 16 tetori, ku do të punojmë së bashku dhe ku zyra e kancelarit do të angazhohet për ta shoqëruar samitin me një forum të rëndësishëm të biznesit”, tha ai.

Më 3 nëntor të vitit të kaluar, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me 5 homologët e tij nga Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbia kanë nënshkruar tri marrëveshje të bashkëpunimit rajonal në kuadër të Samitit të Berlinit.

Marrëveshjet që janë nënshkruar mes këtyre 6 vendeve janë ato për lirinë e lëvizjes me ID karta, për njohjen e institucioneve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Më 23 shkurt të këtij viti, 82 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, e cila parasheh lëvizjen vetëm më letërnjoftime me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares Anegla Merkel. Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë të të ashtuquajturës “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.

Nënshkruhen tri marrëveshje mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor