Foto: Erion Veliaj/Facebook

Tirana gati për ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Shqipërisë

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është stolisur me flamujt kuq e zi për ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar disa fotografi të rrugëve të qytetit para ceremonisë.

Foto: Erion Veliaj/Facebook

Në Parlamentin e Shqipërisë, sot në orën 18:00 do të zhvillohet ceremonia solemne e betimit të presidentit të ri.

Në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begaj, do të marr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani me ftesë të Institucionit të Presidentit, do të marrë pjesë në një  ceremoni që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë, në të cilën presidenti aktual, Ilir Meta, do ta dorëzojë detyrën tek Presidenti i ri, Bajram Begaj, thuhet në njoftim.

Begaj do të betohet si presidenti i tetë i vendit në Kuvendin e Shqipërisë me një ceremoni që do të përcillet me intonimin e himnit kombëtar, gardën ceremoniale dhe 21 të shtëna topi. Atij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Shqipërisë, e cila përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e presidentit.

Begaj u zgjodh president i Shqipërisë më 4 qershor të këtij viti, me 78 vota të deputetëve të Kuvendit në raundin e tretë, pasi që Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë nuk ishin pajtuar për zgjedhjen e një figure konsensuale për president. PD ka refuzuar votimin e Begajt dhe e ka cilësuar jo-kushtetues emërimin e tij.

Para votimit, Begaj, një ushtarak karriere, tha se do të mbajë pozitën e presidentit “me respekt të barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar”.

“Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi”, tha Begaj.

Begaj, mjek në profesion, vjen si President nga pozita e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Që nga viti 1998 ai ka shërbyer në disa poste administrative ushtarake, si komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor, dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Begaj bëhet presidenti i tetë i Shqipërisë që nga rënia e komunizmit. Ai merr detyrën nga Ilir Meta, presidenca e të cilit u karakterizua me përplasje me Qeverinë e Edi Ramës dhe beteja ligjore në Gjykatën Kushtetuese.

Pozita e Presidentit në Shqipëri është kryesisht ceremoniale, por presidentit ka përgjegjësi të shtuara në drejtimin e përgjithshëm të politikës së jashtme dhe sigurisë.