Tirana dhe Shkupi hapin negociatat e anëtarësimit në BE

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më 19 korrik hapin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, tha se ky është moment historik dhe shtoi se të dyja shtetet ka kryer reformat e duhura për të nisur negociatat e anëtarësimit në bllok.

“Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po hapin negociatat për anëtarësimin në BE. Ky është suksesi juaj dhe i qytetarëve tuaj”, tha von der Leyen, gjatë një konference për media në Bruksel.

Hapja zyrtare e negociatave bëhet në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, që do të mbahet të martën.

Në Bruksel, të pranishëm janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, falënderoi përpjekjet e bëra nga presidenca paraprake e BE-së, e udhëhequr nga Franca, për zhbllokimin e bisedimeve për Tiranën dhe Shkupin.

“Propozimi francez shtroi rrugën për zhbllokimin e një situate absurde”, tha Rama.

Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.

Megjithatë, hapja e bisedimeve të martën në Bruksel është “simbolike”, pasi bisedimet reale apo ato për kapitujt e BE-së do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për përfshirjen në të të bullgarëve, si të barabartë me popujt e tjerë.

Këtë e tha edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas nënshkrimit të protokollit me ministren e Jashtme bullgare në detyrë, Teodora Gençovska.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat më 2005 dhe Shqipëria më 2014. Por, nisja e negociatave u bllokua për shkak të mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën mes Shkupit dhe Sofjes./REL