Ferizaj - 17.03.2020

Tingujt e klarinetit 'thyejnë heshtjen' në Ferizaj - VIDEO

Sot pesë ditë që kur Kosovë është futur në karantinë, të gjitha qytetet janë të heshtura, kështu duke përfshirë edhe Ferizajn.

Por, këtë heshtje ka vendosur ta thyej një qytetar i kësaj komune.

Sapo fillon të ecësh në shesh fare lehtë dëgjohet zëri i tij, nën tingujt e klarinetit.

I ulur në sheshin “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, me një kapelë ngjyrë kafe në kokë, palto ngjyrë hiri, në duar po mbante klarinetën ku dëgjoheshin tingujt e tij që nga momenti kur fillon të ecësh në sheshit. Para vetes ka vendosur një çantë të vogël për ata që dëshirojnë ‘të paguajnë’ për ‘punën’ e tij.

Të paktë janë ata që ndalen e dëgjojnë derisa ai thyen heshtjen në qytet, të gjithë mundohen të largohen sa më shpejt e t`u përmbahen rregullave për të qëndruar në shtëpi.

 

Dyqanet e kafiteritë e mbyllura, fare pak shihen të moshuar, derisa ecin me miqtë e tyre dhe bisedojnë.

Në bisedat e tyre lehtë mund të dëgjosh duke u ankuar për gjendjen në vend nga pandemia, ankohen për ngritje të çmimeve në markete e për mungesë të miellit.

“Nuk po më mungon kafja, por mielli dhe ushqimet e tjera po mungojnë, e kam marrë rrogën me të parin aq sa kam mundur të blej kam blerë”, shprehet për KALLXO.com Astrit Shabani, njëri nga personat që po qante hallet me mikun e tij.