Time Kadrijaj - Vjosa Osmanit: Kosova po e pret shkarkimin e burrit tënd

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka reaguar pas vendimit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, për shfuqizimin e katër dekretëve për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Kadrijaj përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se Kosova po e pret shkarkimin edhe të burrit të saj, Prindon Sadriu. Deputetja pretendon se Sadriu qëndron gjithë kohës në Prishtinë, teksa merr pagën e konsullit në Shkup të Maqedonisë.

“Vjosë, Kosova po e pret shkarkimin e burrit tënd, i cili gjithë ditën rrin në Prishtinë por e merr pagën e konsullit në Shkup”, ka shkruar deputetja, të mërkuren.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Ky vendim ka ardhur pasi që djali i deputetit Haxhi Shala, Flakron Shala, është emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë/ Çeki,  pas rekomandimit të ministres së AAK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Siç mëson KALLXO.com, të saposhkarkuarit janë Flakron Shala – Pragë, Blendi Kilaj – Lubjanë, Lindon Kqira – Shkup dhe Halim Krasniqi – Tiranë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada.

Kush janë konsujt e tjerë të shkarkuar nga Vjosa Osmani