“TIME” e zgjedh përsëri Trumpin “Person të Vitit”
Revista “TIME” e ka shpallur Donald Trumpin si personin e vitit për herë të dytë, raporton BBC.
“Për arritjen e një rikthimi të përmasave historike, për nxitjen e një riorganizimi politik një herë në një brez, për riformësimin e presidencës amerikane dhe ndryshimin e rolit të Amerikës në botë, Donald Trump është personi i vitit 2024 i TIME”, ka shkruar kryeredaktori Sam Jacobs në një letër drejtuar lexuesve.
Presidenti i zgjedhur republikan është nderuar dhe zgjedhur që t’i bjerë ziles së hapjes në bursën e New Yorkut. Me të do të jenë edhe disa nga anëtarët e familjes së tij.
Trumpi u shpall për herë të parë personi i vitit në vitin 2016 pasi fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Tradita e revistës – e cila filloi në 1927 si “Personi i Vitit” – njeh një person apo lëvizje që “për mirë apo për keq… ka bërë më së shumti për të ndikuar në ngjarjet e vitit”.
Fituesit e tjerë të mëparshëm përfshijnë aktivisten e ndryshimeve klimatike, Greta Thunberg, ish-presidentin Barack Obama, shefin e Meta-s, Mark Zuckerberg, Papa Françeskun dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Redaktorët e revistës “TIME” vendosin përfundimisht se kush e fiton çmimin.
Media po konsideronte 10 persona për çmimin e personit të vitit, duke përfshirë zëvendëspresidenten Kamala Harris, Princeshën e Uellsit dhe shefin e Teslas, Elon Musk, tani i besuar i ngushtë i Trumpit, i zgjedhur të drejtojë një bord këshillues të quajtur Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë.
Në një përshkrim për Trumpin për listën e finalistëve, “TIME” vlerësoi se ai kishte fituar zgjedhjet e vitit 2024 “në një rikthim mahnitës politik”.
“Ai ka riformuar elektoratin amerikan, duke aktivizuar votuesit e rinj meshkuj, të cilët e shtynë atë drejt një fitoreje vendimtare që ia dha atij votën popullore për herë të parë dhe do të kthente çdo shtet të kuq (republikan)”, shkroi revista.
“Fitorja e tij e vitit 2024 po bën histori në shumë mënyra: ai do të jetë presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së dhe u dënua në fillim të këtij viti nga një juri e New Yorkut me 34 pika akuze për mashtrim, duke e bërë atë të dënuarin e parë që zgjidhet president”, shkruan më tej.
Trumpi dha intervistë për revistën në prill të këtij viti gjatë sezonit të fushatës. Gjatë diskutimeve të gjera, Trumpi foli për planet e tij për një mandat të dytë, duke përfshirë synimet për reformimin e sistemit të imigracionit në SHBA dhe deportimin e miliona njerëzve.
Trumpi u ankua në vitin 2015 kur nuk u zgjodh për ballinën e revistës gjatë kandidimit të tij të parë për postin, kur çmimi i shkoi për ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Por pasi ai u emërua personi i vitit pas fitores së tij në zgjedhje, ai e quajti atë një “nder të madh”. “Kjo do të thotë shumë, veçanërisht unë duke u rritur duke lexuar revistën ‘TIME’. Dhe, e dini, është një revistë shumë e rëndësishme”, deklaronte ai në atë kohë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com