
Foto: Humanium
TikTok-u përgatitet për mbyllje në SHBA prej të dielës - raporton Reuters
TikTok-un planifikon të mbyllet për përdoruesit amerikanë prej të dielës, kur mund të hyjë në fuqi ndalesa federale për këtë media sociale – nëse Gjykata Supreme nuk vendos ta bllokojë zbatimin e Vendimit, kanë bërë të ditur të mërkurën, më 15.01.2025, për Agjencinë e lajmeve Reuters, burime të informuara me rrjedhat.
Rezultati i mbylljes do të ishte ndryshe prej atij që tashmë është përcaktuar me Ligj.
Ligji do të mandatonte ndalesën vetëm për shkarkimin e TikTok-ut në Apple, përderisa përdoruesit ekzistues do të mund të vazhdonin ta përdornin edhe për njëfarë kohe.
Sipas planit të TikTok-ut, njerëzit që mundohen ta hapin aplikacionin do të shohin mesazhe, që i drejtojnë ata të qasen në uebfaqe me informacione për ndalesën, kanë bërë të ditur personat e informuar me rrjedhat – duke kërkuar që t’u ruhet identiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Kompania planifikon, gjithashtu, që t’u japë përdoruesve një opsion për shkarkimin e të dhënave, me qëllim që të mund të kenë një databazë të të dhënave personale – kanë thënë burimet për Reuters.
Mbyllja e shërbimeve nuk kërkon planifikim të mëtutjeshëm, kanë bërë të ditur burimet – duke theksuar se shumica e operacioneve kanë vazhduar si zakonisht edhe këtë javë.
Nëse ndalimi përmbytet, TikTok-u do të ishte në gjendje të rikthente shërbimet për përdoruesit amerikanë në një periudhë relativisht të shkurtër – ka thënë njëri burim.
TikTok-u dhe kompania e tij kineze mëmë, ByteDance nuk ka komentuar menjëherë kërkesat për koment.
Mediumi amerikan i teknologjisë “The Information” raportoi së pari lajmin.
60% e ByteDance është në pronësi të investitorëve institucionalë si BlackRock dhe General Atlantic, ndërsa themeluesit dhe punonjësit e tij zotërojnë 20% secili. Byte Dance ka më shumë se shtatë mijë punëtorë në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Joe Biden prillin e kaluar nënshkroi një Ligj që i kërkonte ByteDancet të shiste asetet e saj në SHBA deri më 19 janar 2025, ose ndryshe do të përballej me ndalim mbarëkombëtar.
Javën e kaluar, Gjykata e Lartë amerikane pritej të mbështeste Ligjin, pavarësisht thirrjeve të presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump dhe ligjvënësit për të zgjatur afatin.
Trump, inaugurimi i të cilit vjen një ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit, ka thënë se duhet të ketë kohë pasi të marrë detyrën për të ndjekur një “zgjidhje politike” të çështjes.
TikTok-u dhe ByteDance kanë kërkuar, të paktën, shtyrje të zbatimit të Ligjit, për të cilin ata thonë se shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, kundër cenimit të fjalës së lirë nga Qeveria.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com