Tiger Woods përfshihet në aksident të rëndë me veturë

Tiger Woods është zgjuar dhe ka vetëdije pas ndërhyrjes kirurgjike në këmbë si pasojë e aksidentit me makinë në Los Angjelos të martën.

Kampioni i golfit u desh të ‘nxirrej nga makina e shtypur’ nga zjarrëfikësit dhe mjekët e ndihmës së parë.

Amerikani pësoi fraktura të hapura që prekën eshtrat e tibisë dhe fibulës në pjesën e poshtme të këmbës së tij të djathtë.

Plagët e marra në shputë dhe kyç të këmbës janë stabilizuar me anë të vidave dhe gjilpërave.

Woods është duke e marrë veten në spital,” thuhet në një deklaratë të lëshuar përmes Twitterit të Woods.

Shefi i stafit mjekësor në qendrën mjekësore UCLA Anish Mahajan, ku Woods po trajtohet, tha se frakturat e hapura ishin copëtuar, që do të thotë në më shumë se dy pjesë.

“Traumat e marra në muskul dhe indet e buta të këmbës kërkuan ndërhyrje kirurgjike të mbulesës së muskujve për të lehtësuar presionin për shkak të ënjtjes,” shtoi Mahajan.

Woods është shumë ‘me fat që është gjallë’ tha një zëdhënës nga departamenti i Qarkut të LA, i cili ishte ndër të parët në vendin ku ndodhi aksidenti.

Carlos Gonzalez tha se lojtari i golfit nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë para se të largohej nga makina e cila kishte pësuar dëm të madh.

Ai tha se Woods ka pasur të vënë rripin e sigurimit dhe ishte ende i qetë dhe i kthjellët kur e thirrëm në emër. Shkak i aksidentit u tha se ka qenë tejkalimi i shpejtësisë, si dhe terreni me kodra e kthesa që njihet për aksidente. BBC