Foto: Facebook / FC Ballkani

Tifozi pëson arrest kardiak, ekipet mjekësorë të Ballkanit dhe Dritës e shpëtojnë nga më e keqja

Një shikues ka pësuar arrest kardiak sot gjatë zhvillimit të ndeshjes mes FC Ballkanit dhe FC Dritës, në Suharekë.

Kështu ka bërë të ditur presidenti i klubit Drita, Valon Murseli, i cili i ka ‘duartrokitur’ stafit mjekësor të dy klubeve për intervenimin e shpejtë, duke shpëtuar qytetarin nga më e keqja.

“Sot isha i pranishëm në Stadiumin e Qytetit në Suharekë për të parë nga afër ndeshjen e javës së 31-të, FC Ballkani – FC DRITA. Në stadium pranë meje një qytetar pësoi atak kardiak dhe fal intervenimit të shpejtë të stafit mjekësor të të dyja klubeve, FC Drita dhe FC Ballkani ai i shpëtoi më të keqes .Bravo e madhe stafit mjekësor për intervenimin e menjëhershëm dhe profesional, falë të cilit u shpëtua një jetë”, shkroi ai në rrjetin e tij social.

Për rastin ka njoftuar edhe FC Ballkani.

Sipas klubit suharekas tifozi ishte i tyre.

Klubi ka njoftuar se stafi i tij e ka vizituar tifozin në Emergjencën e Prizrenit dhe “lajmi i mirë është se gjendja është stabile dhe jasht rrezikut për jetë”.