Tifozët e Shkupit sulmojnë lojtarët e Shkëndijës, ndërpritet ndeshja

Ndeshja mes Shkupit dhe Shkëndijës, e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut është ndërprerë pas nëntë minutave lojë, pasi tifozët vendas janë futur në fushë dhe kanë sulmuar lojtarët e Shkëndijës.

Pas golit të parë të FC Shkëndijës në minutën e nëntë, tifozët e Shkupit, “Shvercerët”, hynë në fushë dhe goditën fizikisht futbollistët ndërsa nga tribunat kanë gjuajtur me fishekzjarrë e gjësende të tjera, raporton Alsat.mk.

Nën përcjelljen e Policisë, futbollistët dhe stafi teknik i ekipit të Shkëndijës janë përcjellur për në zhveshtore.

Në konsultim të drejtuesve të të dy klubeve, arbitri dhe delegati i ndeshjes, është vendosur të pezullohet ndeshja e çerekfinales së Kupës së Maqedonisë.

Në ditët në vijim pritet vendim zyrtar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë lidhur me atë se cila skuadër avancon në gjysmëfinale.

Foto: Alsat mk