Tienmu Ma u dëbua pasi MPB-ja pretendonte se nuk kishte dëshmuar qarkullimin vjetor të pagës

Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim – Divizoni për të Huajt kishte marr vendim për dëbimin nga Kosova të shtetasit amerikan Tienmu Ma, ish këshilltartit të ish-kryeministrit Albin Kurti.

Vendimi ishte marrë pasi i ishte refuzuar kërkesa për vazhdimin e lejes së qëndrimit në Kosovë.

Divizionet përkatëse të MPB-së, në refuzimin e kërkesës së tij pretendojnë se Ma nuk ka dëshmuar qarkullimin vjetor të pagës së tij, që sipas MPB-së, duhet të jetë minimumi 5 mijë euro në vit.

Tienmu Ma, përmes avokatit të tij, Tomë Gashi, kishte deponuar ankesë në shkallën e dytë, Komisonin e Ankesave për të Huajt, Komision i cili e kishte refuzuar ankesën e tij, duke e cilësuar të pabazuar.

“…të dyja këto dëshmi nuk siguronin dëshminë e qarkullimit financiar vjetor prej 5 mijë euro në vit, ashtu siç e përcakton pika 4.1 e Vendimit të Ministrit të MPB-së të datës 14.01.2020”, thuhet në arsyetimin e Komisionit, ndaj ankesës së Ma-së, të siguruar nga KALLXO.com

Në dokumentet e siguruara nga KALLXO.com, Tienmu Ma kishte dëshmitë se ka pasur qarkullimt vjetor të pagës më tepër se 5 mijë euro, me bankat me të cilat ai bashkëpunon, por që këto dëshmi nuk i ishin pranuar.

Për rastin e dëbimit të Tienmu Ma, ka folur edhe Avokati i Popullit i posazgjedhur, Naim Qelaj.

Ai tha se vendimi i parë që ka marrë prej që ka marrë detyrën, është se ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, që të pezullojnë vendimin për dëbimin e këshilltarit të ish kryeministrit, Albin Kurti.

“Ajo që më bindi që me e nënshkru kërkesën për pezullim, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme me kërkesën që vendimi për dëbim të pezullohet, ishte vendimi i MPB-së për pezullimin e gjithë procedurës për marrjen për leja dhe licenca për periudhën sa ekzistojnë masat kundër pandemisë, dhe me sa mora vesh ai vendim është në fuqi”, ka thënë Qelaj.

Për amerikanin Ma ka pasur probleme me lejen e qëndrimit në Kosovë, ndërsa së fundmi Profesori nga Universiteti ‘Yale’, James Silk i është drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti, ku ka thënë se Kosova mund të bëhet subjekt i një hetimi nga raportuesi special i OKB-së, rreth refuzimit të lejës së qëndrimit të Tienmu Ma në Kosovë.

Siç dihet Tienmu Ma, në raportin e tij për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga organet e rendit të Kosovës si të dyshuar për lidhje me Fetullah Gylenin, kishte konstatuar se ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të tyre ishte pikërisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i MPB-së. Kujtojmë se raporti i Tienmu Ma për rastin e ‘gylenistëve’ kishte konstatuar 32 shkelje të të drejtave të gjashtë shtetasve turq.