Thyhen xhamat e autobusëve, reagon Ahmeti

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti sonte reagoi pas thyerjes së xhamave të autobusëve në kryeqytet për Halloween.

I pari i kryeqytetit theksoi se grumbullimi i njerëzve në kohën e Covid-19 është e rrezikshme.

“Edhe sonte janë thyer xhamat e autobusëve për Halloween. Përveq se është traditë që nuk bëhet askund – sulmet me vezë ndaj qytetarëve që idenë nuk e kanë – në kohë Covidi mbledjja e njerëzve është e rrezikshme. Kemi apelur te prindërit, por nuk kemi arritur të depërtojmë!”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Ndryshe, Halloweeni është festë, e cila mbahet çdo vit me 31 tetor. Tradita e kësaj feste ka origjinën në festivalin antik çeltik të Samhainit, ku njerëzit kanë ndezur zjarre dhe veshur kostume për t’i mbajtur larg fantazmat.

Çeltikët, të cilët kishin jetuar para 2,000 viteve, kryesisht në zonën që tani njihet si Irlandë, por edhe në Francë, e kishin festuar vitin e ri me 1 nëntor. Kjo ditë e kishte shënuar fundin e verës dhe fillimin e dimrit të ftohtë e të errët, periudhë e vitit, e cila shpeshherë ishte ndërlidhur me vdekje të njerëzve./21Media