Shtylla në të cilën humbën jetën dy elektricistë. Foto: Valbona Davidhi/BIRN

Thyerja e shtyllës vret dy elektricistë të OST në Fier të Shqipërisë

Një shtyllë e vjetër e tensionit të lartë është thyer duke zënë poshtë dhe vrarë dy elektricistë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit në Fier të Shqipërisë.

6 punonjës të OST dhe OSHEE kanë humbur jetën në punë nga fillimi i këtij viti.

Ngjarja ndodhi në Jagodinë të Rroskovecit. Policia njoftoi se Gjergji Duka 50 vjeç nga Kuçova dhe Bashkim Saliasi 64 vjeç nga Mallakastra, punonjës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të cilët po punonin për ndërrimin e linjës së tensionit të lartë, mbetën të vdekur në vend prej shtyllës që i zuri poshtë.

Drejtori i OST Andi Prifti konfirmoi se dy elektricistët ishin në punë dhe janë vrarë nga shtylla që “është këputur në mes”. OST po kryen zëvendësimin e linjës së tensionit të lartë që lidhet nëpërmjet shtyllave te amortizuara duke e vendosur në shtylla të reja. Në zonë janë edhe disa shtylla të tilla.

Banorë të zonës treguan se prej disa ditësh i kishin parë dy elektricistët që punonin mbi shtyllat e vjetra, të cilat po zëvendësoheshin.

“Dje i pashë te ajo shtylla tjetër, ishin dy vetë dhe makina, unë kam tokën këtu po këto shtylla janë ndërtuar që në 58-ën dhe janë të vjetra”, tha një banor pranë tokës së të cilit ndodhi ngjarja.

Mariglen Andrea drejtor i Inspektoratit të Punës në Fier tha se ata do të hetonin ngjarjen. “Ne po dërgojmë inspektorët në vendngjarje për të këqyrur rrethanat dhe kushtet e sigurisë. Më pas do kemi një raport”, tha Andrea. Policia më herët njoftoi se ngjarja po hetohet nga një grup ekspertësh.

OST dhe OSHEE janë ndërmarrjet publike me bilanc të rëndë të aksidenteve në punë. Vetëm gjatë fillimit të vitit 2021 6 elektricistë kanë humbur jetën në Gjirokastër dhe në Fier, ku po punohet për ndërtim linjash të reja. (reporter.al)