Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thyen heshtjen, Kryeprokurori Aleksandër Lumezi flet për skandalin e audio-incizimeve

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tash e disa ditë ka qenë temë diskutimi për shkak të disa audio- incizimeve që janë publikuar nga media online “Shqip.com”, në të cilat pretendohet se ka pasur ushtrim ndikimi nga një prokurore në lidhje me një rast të një veture të konfiskuar.

Në këto audio-incizime pretendohet se telefonuesi për të cilin Kryeprokurori Lumezi konfirmoi se është një biznesmen Halit Sahitaj, ka kërkuar që të lirohet një veturë e konfiskuar ndërsa pretendohet edhe se i njëjti ka pasur informacione të ndryshme edhe për Lumezin.

Përmes këtyre informacioneve që pretendohet t’i ketë pasur Sahitaj, ky i fundit ka tentuar që të ndikojë te prokurorja e Krimeve të Rënda Shemsije Asllani për të liruar veturën e konfiskuar.

Kryeprokurori Lumezi sot theu heshtjen dhe foli në lidhje me këto audio-incizime për të cilat tha se duhet të vërtetohet ligjshmëria e tyre.

“Ne nuk kemi dalë me një prononcim publik por Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet sa i përket përgjimeve për të vërtetuar nëse janë përgjime të ligjshme ato. Sipas informacioneve që unë posedoj, incizimet janë të paautorizuara. E dëgjova z. Mehmeti që tha se kur ato përmbajnë vepër penale mund të shërbehen edhe për procedurë”, tha Lumezi në RTV Dukagjini.

Ai shtoi se personi që ka bërë incizimet mund të konsiderohej i pafajshëm në rast se të njëjtat audio- incizime ishin dërguar në organet e rendit dhe të drejtësisë për të zbuluar vepra penale.

“…Personi i cili ka bërë këto incizime nuk ka vepër penale vetëm atëherë kur bëhet incizimi me qëllim që të zbulohet vepra penale dhe ato ia paraqet organeve të rendit, policisë, prokurorisë dhe gjykatës dhe këto incizime kanë qëllim të ndjekjes penale, këto incizime nuk janë dorëzuar”, shton Lumezi.

Tutje ai thotë se është keqinterpretuar ushtrimi i ndikimit.

“E dyta ka keqinterpretime dhe botëkuptime lidhur me veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ushtrimi i ndikimit kryhet në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë kur pranohet ndonjë dhuratë për ndonjë përfitim për vete apo për dikë tjetër me qëllim që të ndikojë te personi tjetër që të marrë një veprim të kundërligjshëm pavarësisht a është arritur synimi si rezultat që ka pasur në këtë rast”, tregon tutje Lumezi .

Pretendime se prokurorja e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani po përdor pozitën e saj për të ushtruar ndikim në zgjidhjen e një lënde të një personi, informacione të dala nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës se kush po hetohet nga krerët e lartë të institucioneve të drejtësisë janë publikuar ditëve të fundit nga media online “Shqip.com”.

Këto biseda pretendohen se janë përgjime që kanë ndodhur vitin e kaluar mes disa krerëve të institucioneve në Kosovë dhe personave të ndryshëm deri sa flitet për raste të ndryshme dhe ndikim në këto raste.

Madje në këto incizime përmendet edhe se çka janë duke hetuar Agjencioni Kosovar i Intelegjencës, (AKI) e edhe se si në një rast prokurorja e krimeve të rënda Shemsije Asllani ka telefonuar AKI-në për t’u interesuar për personin me të cilin flet në përgjimet e publikuara.

Në bisedën telefonike e cila pretendohet që është përgjim i cili ka ndodhur me prokuroren e krimeve të rënda Shemsie Asllani dhe një personi tjetër përmenden edhe se Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi së bashku me AKI-në kanë bërë që personi i cili bisedon me prokuroren të ketë probleme rreth një veture që ishte ndaluar.

Brenda raportimit të “Shqip” përmendet edhe një ndërhyrje e prokurores Asllani në AKI.

Këtë ndërhyrje Asllani pretendohet se e ka përmendur deri sa kishte treguar se interesimi i saj për lëndën e personit me të cilin flet mund të jetë shkelje e kodit të etikës, ushtrim ndikimi, shkelje të integritetit.