Foto: Albin Kurti, Facebook

Thirrjet në vesh të shurdhër

Kërkesat e ndërkombëtarëve për kryeministrin Kurti për të shtensionuar situatën në katër komunat me shumicë serbe deri më tani nuk janë zbatuar, ndërkohë zërat për zgjedhje të reja në veri po përsëriten.

Sot janë bërë dy javë prej kur nisën protesta nga serbët lokal në tre komunat në veri të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të cilët po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të komunave në zyrat e tyre të punës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit u mbajtën më 23 prill dhe ato u bojkotuan nga partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, Lista Serbe. Pjesëmarrja në to, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte vetëm 3.47% dhe procesi zgjedhor shkoi pa ndonjë incident të madh.

Situata e sigurisë arriti kulimin e tensionimit të hënën më 29 maj kur protestuesit u përplasen me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Rreth 30 paqeruajtës u lënduan, ndërsa tre u plagosën nga arma e zjarrit, konfirmoi zyra për medie e këtij misioni.

Që nga ajo kohë, reagime për gjendjen e krijuar pati nga të gjitha anët.

Një takim mes presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq ndodhi të shtunën më 2 qershor. Sebep për këtë takim, që presidentja Osmani tha se ishte i shkurtër, u bënë dy liderë të dy shteteve të fuqishëm evropiane, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emanuel Macron. I pranishëm ishte edhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Ishin zyrat e Scholz dhe Macron ato që podhuan propozimin e tyre për marrëveshjen mes palëve në muajt e fundit të vitit të kaluar, që u quajt propozimi “Franko-Gjerman”.

Takimi prodhoi tri kërkesa për Kosovën, të cilat i kumtoi Borrell përmes Tëitterit. Sipas shefit të diplomacisë evropiane, moszbatimi i tyre do të ketë pasoja të rënda.

“Zgjedhjet e reja lokale tani, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me dialogun e lehtësuar nga BE-ja” – ishin propozimet që u bënë të ditura nga Borrell.

Takimin tre-palësh e kishte komentuar shkurt edhe e para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo kritikoi qasjen e presidentit serb në takim dhe fajësoi atë për situatën e krijuar në veri të vendit.

“Nuk mund të them se Vuçiq ka ndarë ndonjë qëndrim, ai po ankohej dhe nuk po tregonte të vërtetën, gjë që është virtyt i tij, marrë parasysh se ai ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit” – tha presidentja Osmani gjatë një paraqitje para gazetarëve.

Osmani gjithashtu tha se kishte bërë kërkesa për palën serbe për t’i tërhequr trupat ushtarake nga pjesa e kufirit me Kosovë.

Serbia të hënën më 29 maj kishte rritur gatishmërinë ushtarake në nivelin më të lartë, pas një urdhri nga presidenti serb, Vuçiq.

Situata në veri mori vëmendje të madhe nga faktori ndërkombëtar.

Që nga fillimi i tensioneve në veri, më 26 maj, reagime për situatën dhe kërkesa për Qeverinë e Kosovës ka dhënë edhe Sekretari Amerikan, Antony Blinken.

Kërkesa e tij ishte që Policia e Kosovës të largohej nga ndërtesat e komunave dhe kryetarët e ri të punojnë nga zyrat alternative, jo nga ndërtesat komunale.

Kurti shprehu paknaqësi ndaj reagimeve të sekretarit amerikan Bliken. Ai madje pati një cilësim për deklaratën e tij.

“Jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive” – tha kryeministri kosovar për Guardian, të martën më 30 maj.

Në të njëjtën ditë, reagime nga shteti amerikan pati edhe në Kosovë. Ambasadori Jeff Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarë njoftoi se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ‘23”.

Sipas shefit të diplomacisë amerikane në Prishtinë, kjo nuk do të ishte e vetmja masë ndëshkuese.

“Ashtu siç ka thënë sekretari Blinken në deklaratën e tij dhe si kemi thënë ne, kjo do t’i afektojë marrëdhëniet tona biletarele. Indikacioni i parë i kësaj është vendimi i Gjeneral Komolit, udhëheqësit të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë për të përjashtuar pjesëmarrjen e Kosovës në Europe Defender 23 që ndodhi gjatë natës dhe, siç e keni parë, sot nuk pati aktivitete të Defender 23 dhe as nuk do të ketë. Për Kosovën ky ushtrim ka marrë fund. Jemi duke mendu për implikime tjera” – tha Hovenier gjatë bisedës me gazetarë.

Ai përsëriti kërkesën për tërheqjen e trupave të policisë nga ndërtesat e komunave dhe kërkoi që kryetarët e zgjedhur më 23 prill të punojnë nga zyra alternative.

Në anën tjetër, të enjten mbrëma më 1 qershor, kryeministri Kurti pranoi një thirrje të rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendës-këshilltari për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Finer kishte një kërkesë të qartë për të parin e qeverisë kosovare, shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Kurti, kur njoftoi për bisedën telefonike, përmendi edhe zgjedhje të reja të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe.

Kjo ishte hera e parë kur Kurti përmendi mundësinë për zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Të hënën, drejt Prishtinës morën udhë dy zyrtarë të lartë, një nga ShBA e tjetri nga BE.

Albin Kurti në takim me emisarët Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar/ Foto: ZKM, 05 qershor 2023

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pas vizitës në kryeqytetin kosovar vazhduan në Beograd. Ata patën tre kërkesa për Qeverinë e Kosovës: Shtensionimi i situatës në terren, zgjedhje të reja të shpejta në veri dhe rikthimi në dialog.

Biseda mbi dy orëshe në zyrën e Kurtit nuk pati një rezultat, jo të paktën atë që pritën dy zyrtarët ndërkombëtar. Madje, Escobar drejtoi kritika drejt kryeministrit Kurti.

“Ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës, kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit” – deklaroi emisari amerikan Gabriel Escobar.

Zyrtari i lartë i qeverisë amerikane përsëriti gjithashtu se Asociacioni do të bëhet, me këtë qeveri apo me një qeveri tjetër në Kosovë.

Në përgjigje ndaj kritikave, Kurti të mërkurën para gazetarëve tha se nuk kishte marrë ultimatume për të pranuar ose refuzuar propozimet e ndërkombëtarëve. Kurti tha se ka ofruar një rrugë-dalje nga kriza në veri.

“E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë të cilët ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm e të grupeve kriminale” – tha i pari i ekzekutivit kosovar.

“E dyta është që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme, të kemi zvogëlim të pranisë së Policisë nëpër ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor  për zgjedhje të parakohshme” – deklaroi Albin Kurti para gazetarëve.

Kur u pyet për kërkesat konkrete të ndërkombëtarëve, kryeministri Kurti tha se ato po shqyrtohen me kujdes. Ai e pranoi se ka “paqartësi” me emisarët nga ShBA dhe BE.

“Unë jam i bindur që do t`i sqarojmë paqartësitë, kemi sfida me emisarët edhe evropian edhe amerikanë por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe SHBA-në janë të shkëlqyeshme” – tha Kurti.

“Kur vjen emisari evropian apo amerikan si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika është në pyetje raporti ynë me Serbinë dhe kjo natyrisht nuk është e njëjta gjë” – shpjegoi tutje kryeministri i Kosovës.

“Kur emisari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë me raportet tona me Serbinë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm, të kujdesshëm por në natyrisht gjithnjë të jemi bashkëbisedues konstruktiv e të përkushtuar” – tha ai.

Së fundmi, kritika për kryeministrin Kurti dha edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë” – tha Hill për “Zërin e Amerikës” të enjten.

Kritikave të ndërkombëtarëve iu përgjigje edhe kryeministri Kurti. Ai tha se zyrtarët nga ShBA e BE se “vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, tha ai në një intervistë për AP.

Por, kryeministri Albin Kurti, në secilën paraqitje publike kishte përsëritur qëndrimin se, policia po siguron hyrjen në objekte të kryetarëve dhe, sipas tij, ata që duhet të largohen janë grupet kriminale.