Papa Françesku - Foto: REL/Reuters

Thirrje për dialog në zgjidhjen e konflikteve, mesazhi i Papës për Krishtlindje

Në fjalimin e tij të Krishtlindjeve më 25 dhjetor, Papa Françesku bëri thirrje për dialog në mes të “tendencës së njerëzve për tërheqje” gjatë pandemisë së koronavirusit e cila tashmë la të vdekur më shumë se 5.3 milionë njerëz në botë brenda dy vjetësh.

Tani pandemia ndodhët në fazën akoma më të ashpër derisa varianti i ri, Omicron po përhapet me shpejtësi nëpër botë.

“Edhe në nivel ndërkombëtar po ashtu, ka rrezik që të shmanget dialogu. Prapë këto rrugë mund të çojnë tek zgjidhja e konflikteve dhe përfitime për të gjithë”, tha Papa Françesku gjatë fjalimit të njohur si “Urbi et Orbi”, mesazh ky bekimi për të gjithë besimtarët që u mblodhën në Sheshin Shën Pjetri.

Papa kërkoi kujdes ndaj dhunës së re në Ukrainë, ku ka rritje të tensioneve në mes të Rusisë dhe shteteve perëndimore.

Perëndimi po akuzon Moskën për grumbullimin e më shumë se 100 mijë forcave ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainë, situatë e cila mund të eskalojë në invadim të ri.

“Në Ukrainë, parandaloni shpërthimin e ri të konfliktit”, tha Papa Françesku gjatë fjalimit të tij.

Sipas kreut të Kishës Katolike, “tragjeditë e mëdha” në Sirinë e shkatërruar dhe Jemen por edhe Irak “po kalohen në heshtje”.

Para Françesku bashkë me besimtarët mbajtën Meshën e Krishtlindjeve në orën 17.30 sipas kohës lokale, njëjtë sikurse edhe vitin e shkuar kur hynte në fuqi ora policore e paraparë nga ora 22.

Në Vatikan, para meshës derisa besimtarët hynin në Bazilikën e Shën Pjetrit secilit i matej temperatura dhe secilit i kërkohej bartja e maskës dhe ruajtja e distancës.

Vitin e shkuar, papa bëri thirrje për qasje ndaj vaksinave kundër koronavirusit për të gjithë njerëzit në nevojë në botë. Ai tha atëkohë që njerëzimi po e jeton “epokën e errët dhe të paqartë lidhur me pandemi” e cila atëherë kishte lënë të vdekur 1.7 milion njerëz në botë.

Ndërkaq më 24 dhjetor papa kërkoi më shumë solidaritet për ata që jetojnë në varfëri derisa mbajti meshën e Natës së Krishtlindjeve para rreth 2 mijë besimtarëve.

Derisa fliste, rastet në rritje të infektimeve me koronavirus lanë nën hije festën e Krishtlindjeve për herë të dytë, duke detyruar kishat të anulojnë shërbimet, duke prishur plane për udhëtime derisa edhe njëherë u kërkua nga njerëzit që të respektojnë masat kundër përhapjes së pandemisë.

Në Londër, Mbretëresha Elisabeth II në mesazhin e Krishtlindjes ndau dhimbjen me qytetarët për vdekjen e bashkëshortit të saj.

Mbretëresha, e cila fliste afër një fotografie të Princit Philip tha se “e kupton vështirësinë që festa të kalohet pa buzëqeshjen e një familjari që nuk është më”. Princi Philip vdiq në muajin prill në moshën 99 vjeçare.

“Ndonëse janë ditë të lumturisë dhe gëzimit për shumicën, Krishtlindjet mund të jenë të vështira për ata që humbën të dashurit e tyre”, tha 95-vjeçarja në mesazhin e saj. “Dhe këtë vit, unë e kuptoj mirë këtë”, shtoi ajo.

Mesazhi i mbretëreshës është traditë në Britaninë e Madhe duke i dhënë asaj mundësi që të reflektojë mbi kuptimin e festës dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi.

Derisa mbretëresha dhe anëtarët tjerë të familjes mbretërore kremtonin brenda kështjellës Windsor, policia njoftoi se arrestoi një burrë i cili kishte hyre brenda oborrit të kështjellës dhe po mbahet nën dyshimin për posedim të armëve të zjarrtit.

I arrestuari, 19-vjeçar nga qyteti Southempton megjithatë nuk ia doli të hynte në brendi të objektit dhe brenda pak minutash niveli i sigurisë rreth kështjellës u shtua, njoftoi policia më 25 dhjetor.

Zëdhënësja e policisë, tha se anëtarët e familjes mbretërore u informuan lidhur me incidentin dhe policia nuk beson se ka rrezik më të madh për publikun.

Ndërkaq në SHBA, presidenti Joe Biden kaloi festën e Krishtlindjes duke biseduar me ushtarët amerikanë në stacionuar kudo nëpër botë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Jill Biden u shprehën mirënjohje dhe falënderim të gjithë ushtarëve për shërbimin e tyre dhe sakrificën për kombin.

Çifti Biden, i shoqëruar nga qeni më i ri në Shtëpinë e Bardhë, Komandanti patën disa video thirrje me anëtarët e ushtrisë, Forcës Ajrore dhe Rojës Bregdetare amerikane të stacionuar në Katar, Rumani, Bahrejn apo edhe SHBA.

“Si komandanti juaj desha të shfrytëzoj këtë mundësi t’ju falënderoj, t’ju falënderoj shumë”, tha Biden. “Jemi mirënjohës për guximin tuaj, sakrificën dhe jo vetëm sakrificën tuaj por edhe të familjeve tuaja”, shtoi presidenti amerikan.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden u tha se ata janë “shtylla e çeliktë e kombit ” dhe theksoi “obligimin vërtet të shenjtë” që kombi ka për t’u kujdesur për ushtarët dhe familjet e tyre./REL