Thirrje për Aplikim nga BIRN Kosova: Shkolla për hulumtime gazetareske në prokurim publik

  • A je gazetar/e i/e ri/re apo me përvojë, nga niveli lokal apo qendror dhe ke etje për të mësuar dhe për t’u zhvilluar profesionalisht?
  • A je gati për të takuar njerëz të rinj që kanë të njëjtat interesa si ti?
  • A dëshiron të takosh gazetarë të shquar dhe të fitosh aftësi praktike në gazetarinë hulumtuese nga fusha e prokurimit dhe shpenzimit të parasë publike?
  • A dëshiron të angazhohesh në shkrimin e artikujve hulumtues dhe të kesh mundësinë të punosh ngushtë me mentorët e BIRN-it?

Nëse po, atëherë BIRN Kosova me përkrahjen e Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës ka organizuar diçka fiks për ty. Prej datës 19 deri më 22 mars 2023, BIRN Kosova do të organizojë Shkollën e parë për hulumtime gazetareske në prokurim publik, në të cilën do të ofrojë një mundësi të veçantë për gazetarët e rinj dhe ata me përvojë që të fitojnë njohuritë dhe shkathtësitë nga identifikimi i një shkelje në prokurim publik apo financa publike e deri te realizimi i hulumtimit.

Studentët e gazetarisë nuk mësojnë të shkruajnë për fusha specifike siç është prokurimi publik gjatë studimeve të tyre. Nëse gazetarët dhe studentët e gazetarisë nuk ndjekin aktivitete trajnuese të organizuara nga OJQ me ekspertizë dhe kapacitete profesionale në raportimin e prokurimit publik, ata do të vazhdojnë ta shohin prokurimin publik dhe shpenzimin e parasë publike si tema të komplikuara dhe të shmangin raportimin për këto fusha të rëndësishme.

Prokurimi publik dhe aktivitetet e prokurimit  janë tema të komplikuara për gazetarët, veçanërisht kur merret parasysh se:

a) Shumica e mediave në Kosovë nuk kanë gazetarë me profilin specifik të mbulimit të prokurimit publik;

b) Janë vetëm disa redaktorë që kanë njohuri në këtë fushë dhe që janë marrë me prokurimin publik si gazetarë;

c) Gazetarët janë të zënë me punë të përditshme dhe nuk mund të merren me tema specifike si prokurimi publik dhe shpenzimet e parasë publike që marrin më shumë kohë dhe energji; dhe

d) Shumica e gazetarëve në Kosovë janë të rinj.

Për të krijuar një grup gazetarësh që kanë njohuri më të thelluara për prokurimin, është e nevojshme të organizohet një Shkollë e tillë për gazetarët. BIRN Kosova do të organizojë një Shkollë katër-ditore për hulumtime gazetareske në prokurim publik, që do të kombinojë temën e prokurimit publik dhe gazetarisë hulumtuese.

Shkolla për hulumtime gazetareske në prokurim publik do të mbahet në Gjilan, në datat 19-22 mars 2023. Shkolla për hulumtime gazetareske në prokurim publik do të mbledhë 20 gazetarë.

Çka mësohet në Shkollën për hulumtime gazetareske në prokurim publik?

Në kuadër të kësaj shkolle, BIRN Kosova ka formuar një ekip të trajnerëve të zgjedhur, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre me pjesëmarrësit. BIRN po ashtu do të ftojë folës të ndryshëm për çdo ditë të Shkollës për hulumtime gazetareske në prokurim publik.

Gjatë Shkollës për hulumtime gazetareske në prokurim publik, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të fitojnë njohuri mbi aspektet ligjore dhe procedurale të prokurimit, dokumentet e prokurimit, institucionet kompetente të prokurimit publik në Kosovë, teknikat e hulumtimit gazetaresk, shkrimin e një hulumtimi mbi prokurimin dhe punë praktike. Për më tepër, gazetarët do të takohen, dëgjojnë dhe shkëmbejnë përvoja me folës të ndryshëm të ftuar.

Shkolla për hulumtime gazetareske në prokurim publik organizohet bazuar në një metodologji të hartuar nga BIRN, e cila përbëhet nga prezantimet, ligjëratat profesionale, takimet me përfaqësues të institucioneve vendore, vizita studimore dhe punë praktike. Përmes moduleve gjithëpërfshirëse dhe ndërvepruese, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të praktikojnë njohuritë dhe aftësitë e posa-fituara përmes angazhimit në punë individuale dhe punë grupore, të cilat do të zhvillohen në kuadër të shkollës

Për të shënuar përfundimin e ditës së fundit të Shkollës për hulumtime gazetareske në prokurim publik, BIRN do të shpërndajë certifikata për pjesëmarrësit. Pas Shkollës për hulumtime gazetareske në prokurim publik, ekipi i BIRN-it do të punojë në bashkëpunim me të trajnuarit për të prodhuar dhe publikuar 20 storie gazetareske që ekspozojnë parregullsitë në financat publike dhe prokurimin publik në disa komuna e ministri.

Të trajnuarit do të kenë mundësinë të punojnë ngushtë me mentorët e BIRN-it, të cilët do t’i udhëheqin gjatë gjithë procesit të hulumtimit dhe shkrimit të artikujve hulumtues. Artikujt hulumtues do të publikohen në KALLXO.com dhe mund të publikohen në mediat lokale nëse autorët mund të gjejnë media te gatshme për t’i publikuar ato. Çdo artikull do të shoqërohet me ilustrime, për më tepër, për çdo artikull, BIRN do të prodhojë një video të shkurtër me gjetjet kryesore nga hulumtimi. Gazetarët që do të prodhojnë përmbajtje gazetareske pas trajnimit nën mentorimin e BIRN do të paguhen për shkrimet e tyre në shumën prej 300 euro.

Pjesëmarrja në Shkollën për hulumtime gazetareske në prokurim publik është falas. Shpenzimet e qëndrimit, ushqimit dhe transportit do të mbulohen plotësisht nga BIRN Kosova mbështetur nga Aktiviteti i USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës.

Kush mund të aplikojë?

Përparësi për pjesëmarrje do të kenë gazetarët e rinj, gazetarët e posa-inkuadruar në fushën e gazetarisë apo edhe gazetarët me përvojë që duan të mësojnë për prokurimin publik.

Për të aplikuar në Shkollën për hulumtime gazetareske në prokurim publik, klikoni KËTU.

Afati i fundit për të aplikuar në Shkollën për hulumtime gazetareske në prokurim publik është më 8 mars 2023, ora 23:59.

Thirrjen e plotë mund ta gjeni KËTU.

Ky aktivitet implementohet nga BIRN me mbështetjen e Aktivitetit të USAID për Integritet të Komunave të Kosovës.