Thirrje për adresim të nevojave për strehim të 7 familjeve në Istog

Organizata nga Peja “Syri i Vizionit” ka njoftuar në lidhje me gjendjen e rëndë të banimit të shtatë familjeve, të cilat kanë gjetur strehim në godinën e ish-burgut në lokalitetin Gurrakoc të komunës së Istogut.

“Që nga periudha e pasluftës së vitit 1999, pesë familje të komunitetit egjiptian dhe dy familje shqiptare, në mungesë të shtëpive të veta si shkak i kushteve të rënda ekonomike dhe sociale në të cilat gjenden, janë munduar ta sigurojnë banimin në godinën e ish-burgut i cili gjendet në lokalitetin Gurrakoc të komunës së Istogut. Gjatë gjithë kësaj periudhe 20-vjeçare këto familje kanë banuar në këtë godinë, e cila qysh në vitin 1999 ishte në gjendje të mjerueshme dhe të papërshtatshme për të siguruar banim të rehatshëm”, bënë të ditur kjo organizatë.

Sipas tyre, kushtet e jetesës në këtë hapësirë janë shumë të ulëta dhe jashtë cdo niveli.

Foto: Syri i Vizionit

“Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme dhe të pareshtura të këtyre shtatë familjeve, por edhe të organizatave joqeveritare, subjekteve të ndryshme si dhe nismave të qytetarëve, të drejtuara tek institucionet kompetente e veçanërisht tek institucionet komunale të Istogut, me qëllim të rindërtimit të shtëpive ose të paktën sigurimit të një banimi të përkohshëm që i plotëson kushtet e domosdoshme për një banim të dinjitetshëm për këto familje, kushtet e banimit të këtyre familjeve në ish-godinën e braktisur të burgut në Gurrakoc janë nën çdo nivel të dinjitetit njerëzor dhe shoqëror”, thuhet në njoftim.

Foto: Syri i Vizionit

OJQ Syri ka kërkuar nga instuticionet kompetente që të reagojnë dhe të sigurojnë kushte të banimit për këtë familje.

“Duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë të përshkruar më lartë në të cilat jetojnë këto familje, e cila dëshmohet qartë edhe nga fotot e realizuara në ambientet ku jetojnë, OJQ Syri i Vizionit u bën thirrje institucioneve kompetente të komunës së Istogut, atyre të shërbimeve sociale si dhe ministrive përkatëse që kanë për mandat ndihmën dhe sigurimin e mirëqenies sociale për qytetarët në nevojë, që në mënyrë urgjente të ndërmarrin veprime konkrete, para së gjithash për zhvendosjen dhe akomodimin e përkohshëm në kushte të përshtatshme banimi të këtyre familjeve, dhe pastaj për sigurimin e banimit të përhershëm, përkatësisht të ndërtimit të shtëpive për këto familje në kushte të rënda ekonomike e sociale”, përfundon njoftimi.

Foto: Syri i Vizionit