Foto: REL/AFP

Thirrje Kosovës e Serbisë për bashkëpunim në kohën e pandemisë

Grupi punues për Kapitullin 35 të Konventës rreth Bashkimit Evropian dhe Instituti për Zhvillim Ekonomik e territorial me seli në Zubin Potok, përmes një komunikate u ka bërë thirrje organeve kompetente të Serbisë dhe Kosovës që të vendosin bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe efektiv në luftën kundër përhapjes së pandemisë së virusit korona.

Në komunikatë Grupi punues apelon që të vendoset bashkëpunim dhe të komunikojnë institucionet relevante në baza ditore për të prekurit me koronavirus në të dyja shtetet.

Gjithashtu Grupi punues u bënë thirrje organeve kompetente që t’i vendosin procedurat për bashkëpunim ndërmjet enteve mjekësore dhe ekipeve të mjekëve, si dhe procedurat për ndihmë të ndërsjellë në trajtimin spitalor të pacientëve të infektuar me virusin korona, të lejohet kalimi i mallrave të konsumit të gjerë, sidomos i ushqimit, barnave, materialit sanitar, mjeteve për dezinfektim dhe artikujve të tjerë të domosdoshëm që nevojiten për jetë normale, të mundësohet lëvizja e papenguar e automjeteve sanitare dhe e ekipeve të mjekëve.

Gjatë ditës së djeshme, Drejtori i institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Naser Ramadani, në një video konferencë ka thënë se personat e infektuar në veri të Mitrovicës janë konfirmuar në Serbi dhe janë dërguar në Serbi për shërim.

“IKSHPK ka informata për dy raste pozitive në veri të Kosovës, të cilat kanë pasur kontakt me një person të konfirmuar si pozitiv në COVID-19 në Serbi, derisa është e drejtë e secilit qytetar që të trajtohet kudo që atij i duket e arsyeshme”, ka thënë Ramadani. Ndërsa ka përfunduar duke thënë se “Institucionet e Kosovës ofrojnë trajtim për secilin qytetar të saj”.

Thirrja e plotë:

Jemi dëshmitarë që pandemia e virusit korona (COVID19) paraqet rrezik të madh kudo në botë dhe se sistemet shëndetësore po çrregullohen gjithnjë e më shumë me numrin e pacientëve të infektuar. Pandemia ka treguar se përhapja e sëmundjes i kalon kufijtë, prejardhjen kombëtare dhe etnike ose përkatësinë fetare të të sëmurëve, dhe se ajo mund të mposhtet vetëm përmes veprimit të përbashkët, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe solidaritetit. Para së gjithash, bashkëpunimi është i domosdoshëm për hir të njerëzimit dhe të përgjegjësisë ndaj jetëve njerëzore në këto kohë të vështira.

Grupi punues i Konventës Kombëtare rreth Bashkimit Evropian për Kapitullin 35 u bën thirrje organeve kompetente të Serbisë dhe Kosovës që të vendosin bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe efektiv në luftën kundër përhapjes së pandemisë së virusit korona.

Për këtë qëllim, Grupi punues për Kapitullin 35 apelon që të vendosen kanalet e komunikimit ndërmjet shtabeve të krizës për luftimin e virusit korona në Serbi dhe në Kosovë që do të mundësonin shkëmbimin e informatave në baza ditore për shkallën e pandemisë. Gjithashtu u bëjmë thirrje organeve kompetente që të vendosin procedurat për bashkëpunim ndërmjet enteve mjekësore dhe ekipeve të mjekëve, si dhe procedurat për ndihmë të ndërsjellë në trajtimin spitalor të pacientëve të infektuar me virusin korona. Përveç kësaj, theksojmë se është e nevojshme që të rregullohet regjimi i lëvizjes nëpër vendkalimet e integruara administrative gjatë vazhdimit të pandemisë në mënyrë që të mundësohet lëvizja e papenguar e automjeteve sanitare dhe e ekipeve të mjekëve. Gjithashtu është e nevojshme të lejohet kalimi i mallrave të konsumit të gjerë, sidomos i ushqimit, barnave, materialit sanitar, mjeteve për dezinfektim dhe artikujve të tjerë të domosdoshëm që nevojiten për jetë normale.

Në fund, Grupi punues për Kapitullin 35 dëshiron të theksojë se qasja e përbashkët dhe bashkëpunimi aktiv në luftimin e pandemisë së virusit korona në Serbi dhe në Kosovë në masë të konsiderueshme mund të kontribuojnë në pajtimin e të dy shoqërive, e një mundësi e tillë assesi nuk duhet të lëshohet.