Kamera me valë. Foto/Telegram

Thirrja e djeshme në grupe të 'Telegramit' për të dëmtuar pajisjet e Policisë në veri, flet ministri Sveçla

Në një grup në rrjetin social “Telegram”, në të cilën flitet në gjuhën serbe e temë kryesore është situata e sigurisë në veri të Kosovës, mbrëmë (29.11.2024), qytetarëve iu bë një thirrje.

Disa pajisje të Policisë së Kosovës – e që në mesazhin e dërguar në këtë grup thuhet se janë kamera me valë – u kërkua që të thyhen.

“Luten qytetarët, mbi të gjitha ata që janë të gatshëm të japin mbështetje në luftën e mëtejshme kundër pushtuesit, që të thyejnë dhe heqin këto pajisje për kamerat me valë (kamera wireless)! Kjo do të na lehtësojë dhe do të na japë hapësirë ​​për veprime të mëtejshme! Ato janë të vendosura kryesisht në pemë dhe nuk kanë kabllo” – thuhet në këtë mesazh.

Një fotografi që duket se është bërë gjatë natës iu bashkua këtij mesazhi, që në grup u dërgua më 29.11.2024 në 11:40h, pra pak para mesditës.

Po atë ditë, në mbrëmje u krye më pas edhe sulmi terrorist me eksploziv që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Për këtë çështje, KALLXO.com ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla gjatë konferencës së jashtëzakonshme të mbajtur pas sulmit terrorist.

“Institucionet e Republikës së Kosovës në veri në vazhdimësi atakohen, vitin e kaluar ne kemi pas diku 107 sulme ndaj Policisë, prona e tyre, mjetet e punës së tyre në vazhdimësi cenohen nga këto elemente terroriste, përfshirë edhe thirrjen për sulm ndaj pjesëtarëve të saj apo pajisjeve të cilat Policia i përdor”– tha ministri.

Ai tutje shtoi se është në dijeni për këtë mesazh që u dërgua në grup, por që nuk ka ndonjë informacion tjetër.

“Unë jam në dijeni për rastin të cilin ju po e përmendini, realisht nuk kemi ndonjë informacion që ata kanë pas sukses në këtë rast, me gjithë atë edhe vet thirrja për rezistencë kriminale apo thirrja që me i dëmtu asetet qoftë të Policisë, qoftë kritike të shtetit të Kosovës është vepër e rëndë penale dhe patjetër e ndëshkueshme”– u shpreh i pari i MPB-së.

Ministri Sveçla, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë mbajtur një konferencë për media ku treguan për disa bastisje që u kryen sot, më 30.11.2024, në veri të vendit.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë këtyre bastisjeve në veri.

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – Lajm në Zhvillim