Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thirrja e Arbërie Nagavcit për punëtorët arsimor: Vaksinohuni!

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga mësimdhënësit që të vaksinohen me dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Ajo thotë se Ministria e Arsimit është duke planifikuar që të përgatit fillimin e vitit të ri shkollorë 2021/ 2022 me pjesëmarrje të plotë fizike nëpër institucionet arsimore, andaj kërkon nga mësimdhënësit që të vaksinohen.

“Dëmet e shkaktuara në arsim nga pandemia janë evidente dhe shumë dimensionale, prandaj, na duhet mobilizim i të gjithëve që të arrijmë përmirësim të gjendjes dhe rezultatet e synuara. Shtatori duhet të na gjejë me punëtorë arsimor të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.

Ministrja thotë se ka vaksina të mjaftueshme e të aprovuara dhe se sipas saj vaksinimi është parakusht për kujdesin ndaj vetes dhe shëndetit publik.

“Ju bëj thirrje të gjithë juve që akoma nuk jeni vaksinuar, që pa humbur kohë të caktoni terminet për vaksinim në mënyrë që ta mbroni shëndetin tuaj dhe të tjerëve, por edhe që të jemi të gatshëm për një fillim sa më të mbarë të vitit shkollor”, ka shkruar tutje ajo.

Mësimdhënësit janë në mesin e kategorive me prioritet për vaksinim kundër COVID-19. Në anën tjetër të vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër SARS-CoV-2 në Kosovë janë 102 mijë e 210 qytetarë ndërsa 343 mijë e 333 qytetarë janë të vaksinuar vetëm me dozën e parë të vaksinës.