“Thesari” dhe “Adriatiku”, dy nga tre rastet e shënjestruara nga Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) sot ka shënjestruar 3 raste të reja.

Ky shënjestrim është bërë në takimin me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda, takim ky i kryesuar nga kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj.

Këto raste të shënjestruara janë të koduara si, “Eufond”, “Thesari” dhe “Adriatiku”.

Dy nga këto raste, “Thesari” dhe “Adriatiku” janë të njohura për publikun.

Rasti “Thesari” ka të bëjë me skandalin e 2 milionë eurove, ku si të dyshuar janë, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

KALLXO.com ka siguruar dosjen nga Gjykata lidhur me rastin ndaj këtyre dy të dyshuarve për transferimin e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit në formë të paligjshme në llogari të një kompanie private.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com zyrtari i Ministrisë së Financave Labinot Gruda kishte deklaruar se çështja e dy milionëve nuk kishte të bënte me të.

“Nuk pajtohem me kërkesën e prokurores së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, sepse e ndiej veten plotësisht të pafajshëm. Pretendimet për shumën prej 2 milionë euro, nuk kanë të bëjnë aspak me mua”, kishte deklaruar Gruda para Gjykatës.

Kurse i dyshuari tjetër Kadri Shala i cili ishte vetë dorëzuar në Polici, para Gjykatës ka deklaruar se mjetet të cilat i ishin transferuar në xhirollogarinë e tij kishte menduar që ishin transferuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të destinuara për një projekt të cilin e kishte në plan ta realizonte.

Shala ka deklaruar se paratë i ka harxhuar pasi që me to i ka paguar borxhet lidhur me projektin që e kishte në plan ta realizonte.

“…duke menduar se ato mjete janë të mijat i kam shfrytëzuar pa hezituar ndaj operatorëve-borxhlinjve që kam marrë materiale nga ta, për ndërtimin e atyre shtëpive dhe për to si dëshmi ekzistojnë të gjitha faturat tek ata operator të gjitha janë në harmoni me dispozitat ligjore”, ka thënë Shala.

Shala ka mohuar të ketë bashkëpunuar me zyrtarin e Ministrisë së Financave, Labinot Grudën, ndërsa ka premtuar që pas përfundimit të projektit, paratë do t’i kthej në arkën e shtetit.

“…me kryerjen e atyre punimeve ato mjete do t’i kthehen shtetit. Asnjëherë dhe asnjë çast apo minutë nuk kam të bëj diçka me një zyrtar të Thesarit siç pretendohet apo Ministrisë së Financave…”, ka shtuar më tej Kadri Shala.

Ndërsa pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, Gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi se të pandehurit e lartcekur, në bashkëkryerje e me planifikim paraprak, duke e ditur se pasuria është përfituar përmes veprimeve inkriminuese të të pandehurit Labinot Gruda, duke keqpërdor detyrën zyrtare dhe autorizimet, kanë krijuar user të ndryshëm, që duken si të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe përmes të njëjtëve, në mënyrë të kundërligjshme e kanë transferuar nga Thesari i Republikës së Kosovës shumën prej 2,077,995.90 euro (dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent), në llogarinë bankare të subjektit juridik “LDA GROUP SHPK”, me pronar Valon Shala dhe person të autorizuar Kadri Shala.

Më pas Prokuroria pretendon se i pandehuri Kadri Shala paratë e lartcekura me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës së tyre të vërtetë, të njëjtat i ka transferuar në llogari të ndryshme të personave fizik dhe juridik, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, si dhe shuma të caktuara i ka tërhequr në para të gatshme nga llogaria e lartcekur.

Sipas Prokurorisë i pandehuri Labinot Gruda në bashkëkryerje me Kadri Shalën dyshohen të kenë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa Kadri Shala dyshohet se ka kryer veprën penale shpëlarje e parave lidhur me veprën penale të pastrimit të parave.

Lidhur me vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, Gjykata ka gjetur se nëse të pandehurit do të gjendeshin në liri, atëherë të njëjtit mund të ndikonin në dëshmitarë tjerë të mundshëm, të cilët deri në këtë fazë nuk janë dëgjuar sepse ndaj të pandehurve është duke u zhvilluar faza e hetimeve.

Në arsyet për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve Gjykata ka vlerësuar se rasti është mjaft kompleks andaj nëse në këtë fazë të pandehurit gjenden në liri pos ndikimit në dëshmitarë do të mund të  vinte edhe deri tek dëmtimi i hetimeve si edhe zhdukja e provave.

Gjatë marrjes së vendimit për paraburgim, Gjykata ka llogaritur edhe peshën e veprës penale, mënyrën si dhe rrethanat në të cilat pretendohet se është kryer vepra penale.

Labinot Gruda ishte arrestuar nga Policia në mbrëmjen e 20 tetorit ndërsa Kadri Shala ishte vetëdorëzuar në Polici më 26 tetor, ku më urdhër të prokurorit ishte dërguar në ndalim, ndërsa pas mbajtjes së seancës dëgjimore atij i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Ndërsa sot më 28 maj 2021, të dyshuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala për vjedhjen e 2 milionë eurove nga thesari i shtetit, Gjykata iu ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj.

Rasti i shënjestruar si “Adriatiku” ka të bëjë me 7 personat, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, të lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kg narkotikë të llojit kokainë.

Sipas Prokurorisë, të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar, me veprën penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve dhe në drejtim të veprës penale armëmbajtje pa leje.

Shtatë të arrestuarit po dyshohen se kanë qenë pjesë e grupit që transportoi drogë në vlerë të rreth 20 milionë eurove të llojit kokainë në Kosovë.

Policia e Kosovës pati treguar edhe se aksioni për identifikimin e rrjetit për transportin e drogës brenda Kosovës do të vazhdojë, ndërsa janë konfiskuar edhe një mori provash të cilat do të përdoren gjatë procedurës së mëtejme ligjore.

Një sasi prej 400 kilogram kokainë më 17 maj ka hyrë përmes pikës kufitare në Vërmicë nga Shqipëria për në Kosovë.

Droga ishte e fshehur brenda një kamioni me sasi mishi, dhe ishte ndalur në hyrje të komunës së Lipjanit e ku më pas kishin ndërhyrë edhe ekipet policore.

Për kapjen e 400 kilogramëve kokainë ishin përdorur edhe masat e fshehta, ndërsa sasia sipas të dhënave zyrtare është nisur nga Brazili për në Itali, e më pas ishte ndaluar në portin e Durrësit dhe ishte nisur drejt Kosovës.

Në hetimin e rastit të kokainës kanë bashkëpunuar ngushtë Policia e Italisë, ajo e Shqipërisë, Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale në Kosovë, Sektori i Posaçëm i hetimit të Krimit dhe Korrupsionit në Shqipëri.

Pas aksionit për konfiskimin e drogës së llojit kokainë, të gjithë institucionet e lartpërmendura kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë shpalosur detaje të organizimit të hetimit dhe sekuestrimit të narkotikëve.

Ndërsa më 17 maj 2021, Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se kanë bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre 7 personave.

Prokuroria Speciale shenjëstron tre raste të reja