Therje me thikë në Prishtinë, vdes një person

Një person ka vdekur si pasojë e therjes me thikë që ka ndodhur sonte rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, viktima fillimisht është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, por i njëjti nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve dhe ka vdekur.

“Sot rreth orës 22:00 policia ka marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor, në rrugën “Ali Vitia”, në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritë të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”- ka thënë ajo.

Ahmeti ka njoftuar se Policia është në kërkim të personit të dyshuar që sipas saj është identifikuar nga organet e rendit.

“Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit ( i identifikuar) si dhe kanë nisë hetim për  ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”- ka thënë ajo.