Foto: Ilustrim

Therje me thikë në afërsi të shkollës 'Ismail Qemali' në Prishtinë

Një i mitur po dyshohet se ka therur me thikë një person tjetër duke i shkaktuar kështu edhe lëndime trupore.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 14:45 është raportuar për një lëndim trupor të ndodhur në afërsi të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes prej nga viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, tha Borovci për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se i mituri është shoqëruar në stacionin policor.

“Ndërkohë që ka shoqëruar në stacionin policor një të mitur që dyshohet të ketë shkaktuar lëndimin trupor të viktimës me një mjet të mprehtë. Aktualisht policia ka iniciuar në hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, tha Borovci.