Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Therja me thikë e katër qytetarëve, reagon kryetari i Ferizajt 

Pas rastit të therjes me thikë të katër qytetarëve nga një person në Ferizaj ka reaguar kryetari i kësaj komune, Agim Aliu. 

Kryetari ka thënë se dy prej të lënduarve janë të mitur, ndërkaq dy të tjerë të moshës madhore. 

Tutje Aliu ka thënë se për këtë rast “drejtësia duhet të thotë fjalën e saj”.

“Kryesi i këtij akti kriminal, brenda pak minutave është vënë nën prangat e Policisë. Tani drejtësia do të thotë fjalën e saj”- ka thënë Aliu. 

I pari i Ferizajt u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve derisa ka përgëzuar Policinë e Kosovës, për të cilën thotë se e shmangu zgjerimin e mëtejmë të këtij akti. 

“Lutemi për shërimin e shpejt të të lënduarve!Përgëzime Policisë së Kosovës në Ferizaj për reagimin e shpejt e me profesionalizëm të lartë, duke shmangur zgjerimin e mëtejmë të këtij akti kriminal”- ka shkruar Aliu më 11.11.2024.

Tre prej katër personave që u therën me thikë në Ferizaj nga një person i moshës madhore po trajtohen në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas drejtorit të Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Sylës, një prej viktimave, e moshës rreth 10-vjeçare, është në gjendje të rëndë.

Ndërsa, sipas tij, dy të plagosurit e tjerë që janë duke u trajtuar në QKUK janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. 

Vajza rreth 10-vjeçare që u ther me thikë në Ferizaj në rrezik për jetë

KALLXO.com ka raportuar se sot, më 11.11.2024, një person ka therur me thikë katër kalimtarë të rastit, në Ferizaj.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”.Sipas tij, rasti ka ndodhur në rrethana ende të pasqaruara.