FOTO DIBRAN HOXHA-FCB

Themelorja sërish e lë në fuqi aktakuzën ndaj Dibran Hoxhës

Gjykata Themelore për herë të dytë ka marrë vendim me të cilin u ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës mbrojtësve të akuzuarve Dibran Hoxha, Jesmir Badallajt dhe të pandehurit Ronald Susuri lidhur me rastin e vrasjes së kuksianit në Prizren.

Lidhur me këtë rast pos të lartcekurve akuzohen edhe Arben Vezaj dhe Burim Mazreku për rastin e vrasjes së kuksianit në janarin e vitit 2023 në Prizren.

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim me datë 16.07.2024 duke i kthyer në rishqyrtim vendimin e parë të themelores me të cilin ja u kishte refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës, mbrojtësve të të pandehurve.

Çka kishte thënë Apeli për vendimin e parë të Themelores?

Sipas Apelit, vendimi i Themelores për të hedhur poshtë kërkesat për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, pasi që diapozitivi është kundërthënës në brendinë e tij dhe se arsyetimi në tërësi me faktet gjenden në shkresa të lëndës.

Sipas apelit, arsyetimi i aktvendimit i cili përmban disa fakte janë paraqitur të paqarta dhe në kundërshtim të konsiderueshëm me atë që paraqitet në aktakuzë dhe në procesverbale duke e bërë aktvendimin e Themelores të paqëndrueshëm në aspektin procedural por edhe në pikëpamje të vërtetimit të gjendjes faktike.

Sipas Apelit, në rishqyrtim Themelorja duhet ta vlerësojë aktin akuzues sa i përket aspektit të përmbushjes ligjore të aktakuzës.

Çka kishin deklaruar të akuzuarit në shqyrtimin fillestar?

Gjykata e Prishtinës më datën 07.03.2024 kishte caktuar dhe mbajtur shqyrtimin fillestar, pas leximit të aktakuzës nga ana e PSRK-së, të akuzuarve ju kishte dhënë mundësia të deklarohen lidhur me veprat për të cilat akuzohen.

Të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen, andaj gjykata i kishte udhëzuar të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditëve nga dita e shqyrtimit fillestar të paraqesin kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Avokati Florent Latifaj, avokati Jeton Rekathati dhe avokatja Sahadete Gashi, brenda afatit ligjor kishin parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Dosja e Prokurorisë

Dibran Hoxhaj po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës Visar Cengu më 03.01.2023 në afërsi të lokalit të tij “Cobra City” në Prizren.

Sipas aktakuzës vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.

Dosja thotë se deri tek vrasja çoi një faturë e lartë në lokal e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve Rutgen Tsyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas dosjes, kanë hyrë në veturë për t`u larguar por në atë kohë arrin ‘Kobra’, i cili ishte njoftuar për ngjarjen

Kështu, në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur e në atë moment ‘Kobra’ e ka hapur derën e shoferit dhe me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsyatkova.

Më pas, dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës, i cili rrugës për në spital ka ndërruar jetë.

Për këtë, prokuroria e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë si dhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, të akuzuarit Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për manipulim me prova.

Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Ndërsa Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë rast mund ti lexoni duke klikuar KËTU – LINK.