Themelohet komisioni hetimor lidhur me privatizimet, kërkohet të mos politizohet procesi

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë sot ka mbajtur mbledhjen e parë, me që rast edhe është konstituuar komisioni.

Në këtë mbledhje është shqyrtuar drafti fillestar i raportit rreth aktiviteteve të komisionit.

Një pjesë e këtij drafti është kritikuar nga PDK-ja me arsyetimin e mos paragjykimit të qeverisjes së kësaj partie në vitet e kaluara dhe lidhur me proceset e privatizimeve të ndërmarrjeve në Kosovë.

Anëtari i Komsionit, deputeti Sejdi Hoxha (PDK) tha se nuk pajtohet me një pjesë të tekstit që të hetohen të bëmat politike në dy dekada.

“Nuk pajtohem që në teskt të futet kjo pjesë. Nuk pranoj që të jetë ky tekst paragjykues që kemi me i hetu dëmet e një partie ose ka me u amnistu një parti tjetër. Do t’ia lëmë në këtë raportit, pa paragjyku. Nuk jam për me mbrojt askënd. Kush ka privatizu ia baftë hajrin”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja Doruninë Maloku (LDK) tha mes tjerash se uron që e vërteta të dalë në shesh lidhur me gjendjen për privatizime.

“Nuk po më pëlqen sepse ky draft ka konstatime. Ky do të duhet të ishte si një udhëzues se si duhet punohet por assesi një konstatim për gjendje, para së të fillojmë punën për të hetuar. Propozoj që ekspertin ta marrim menjëherë në mënyrë që personi të jetë i informuar për gjithcka që bëjmë”, tha ajo.

Kurse, deputeti Liburn Aliu (LVV), tha se nuk mund të mos jetë politik ky proces hetimor pasi sipas tij ata janë persona politik.

“Jam dakord që mos të ketë konstatime por të ketë pyetje. Të shkohet më tej të analizohen pasojat, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë. Një hetim i këtij procesi i cilui do të kufizohej vetëm në aspektin teknik, kish me qenë hendikep”, tha ai,

Hajrullah Çeku (LVV) kryesues i këtij komisioni, tha se në draft ka pyetje orientuese si dhe për të tjera çështje mund të zgjerohet fokusi i këtij komisioni parlamentar.

Ndërsa, deputeti Bekë Berisha (AAK) kritikoi diskutimet rreth politikës sa i përket procesit të hetimit.

“Filluat fill me këto komentet politike, mos të tutet kërkush se na pa dalë në televizor edhe me u shfry s’kem me lanë. Këtu dihet që ka pas keqpërdorime, por nëse dojmë me pas sukses duhet të ketë konsensus politk. Ju kisha ftuar të kemi mirëkuptim”, theksoi ai.

Komisioni u pajtua që edhe të nis kërkesë në AKP për qasje  listen e infromacioneve rreth privatizimeve.

Mbledhja e radhës e këtij komisioni është caktuar për të hënën e ardhshme, 27 korrik, në ora 11:00.