MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.
Themelohet grupi ndërinstitucional për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se është themeluar Grupi Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Qëllimi i këtij grupi ndër të tjera është hartimi i planit të veprimit me të cilin parashihen masat dhe veprimet konkrete që rrisin efikasitetin institucional në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
Ky grup, sipas MKRS ka për qëllim të hartojë dhe zbatojë masa konkrete që rrisin efikasitetin në mbrojtjen e monumenteve dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës.
“Grupi përbëhet prej 7 anëtarëve nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve tona: Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Valon Totaj, përfaqësuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ariana Shajkovci, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi”- thuhet në njoftim.
Po sipas njoftimit, në takimet e rregullta që do të zhvillojë grupi koordinues, do të diskutohet dhe do të vendoset për hapat që do të ndërmerren për të siguruar masat dhe politikat e mbrojtjes së trashëgimisë.