Themelimi i komiteteve në Postën e Kosovës u bë pa miratim të BQK-së

Që nga viti 2013, Posta e Kosovës është licencuar edhe si institucion financiar jobankar në vendin tonë.

Për të funksionuar si e tillë, Posta e Kosovës duhet t’i themelojë disa komitete të brendshme që njihen edhe si komitetet e IFJB-ve.

Por, themelimi i tyre bëhet sipas disa procedurave. Së pari, bordi i ndërmarrjes duhet të themelojë një komitet mbikëqyrës ndërsa vetë Posta e Kosovës edhe dy të tjera. Ajo çfarë kërkon Ligji për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare është që përbërja e komiteteve të miratohet nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Por, gjatë muajit shkurt, kur në Postën e Kosovës u themeluan tri komitete, nuk u ndoqën këto procedura ligjore.

Hulumtimi i “Kallxo Pernime” zbardh detajet se si komitetet u themeluan dhe u vendosën si anëtarë të tyre anëtarët e bordit të përkohshëm. Kështu, një kërkesë në adresë nga Posta e Kosovës ishte dërguar, por nuk ishte pritur edhe miratimi nga ky institucion.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga BQK.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka pranuar kërkesën e Posta e Kosovës SH.A. për miratimin e emërimeve në Komitetin e Riskut. Kjo kërkesë është në fazën e shqyrtimit dhe për të ende nuk është marrë vendim nga organet përgjegjëse brenda BQK-së”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.

Në anën tjetër, kryesuesi i bordit të përkohshëm të Postës, Leonard Shabanaj, ka thënë se procedurat janë zhvilluar sipas kërkesës së BQK-së.

“Është dërguar pastërtia e anëtarëve në BQK. BQK-ja, me sa jam në njohuri, e ka pranuar atë kërkesë dhe kemi vazhduar me emërimin e anëtarëve. Ata në një farë forme e kanë bërë një pranim në heshtje sepse nëse ish kanë e kundërta kishin reaguar”, ka thënë Shabanaj në “Kallxo Pernime”.

Sipas një vendimi, kryesuesi i një komiteti merr pagë mujore prej 200 eurove në muaj ndërsa një anëtar prej 180 euro.

Komitetet që u themeluan nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Xhevdet Smakiqi, në muajin shkurt të këtij viti u përbënë nga anëtarët e bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.

Vetëm një javë pasi të emëroheshin nëpër komitete, Smakiqi do të zgjidhej nga të njëjtit anëtarë kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës.

Kryeshefi i zgjedhur i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, ka thënë se nuk është konflikt interesi emërimi nëpër komitete i anëtarëve të bordit të përkohshëm.

“Jo more, kurrgjë hiç s’është ajo punë, tash tërhiqem për atë punë, u dashtë me i plotësu sepse jemi vonu. Është vetëm rastësht”, ka thënë Smakiqi.

Konflikt të interesit nuk e kanë konsideruar as anëtarët e tjerë të bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.

“Jo, sepse ende bordet e mëhershme e kanë pasë një gjë të tillë kështu që nuk është konflikt interesi. Unë nuk jam në pozita menaxheriale në IFJB sepse ajo është njësi e Postës dhe unë dua me mbikëqyrë asetin më të rëndësishëm të Postës që është IFJB-ja, për ata edhe i emëroj njerëzit me edukatë sepse është përgjegjësi e imja çfarëdo që ndodh me IFJB”, ka thënë Fadil Aliu.

Njëjtë ka thënë edhe Elda Maloku, anëtare e bordit të përkohshëm në këtë ndërmarrje publike.

“Meqenëse komiteti i IFJB-së duhet me patjetër me qenë i pavarur dhe meqenëse licenca e BQK-së e kërkon me e bë këtë gjë, atëherë nuk besoj që ka ndonjë konflikt interesi përderisa janë ndërmarrë vendimet. Mirëpo, për më hollësisht mundet me ju përgjigj kryesuesi i bordit”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Ujkan Kameraj, një anëtar tjetër i bordit, ka thënë se për të gjitha informacionet ta pyesim kryeshefin e zgjedhur, Xhevdet Smakiqi.

Ani se ishte emëruar si anëtar i njërit prej komiteteve, kryesuesi i bordit, Leonard Shabanaj, pastaj kishte dhënë dorëheqje. Ai këtë e ka konfirmuar për “Kallxo Pernime”.

“Unë kam kërkuar që të tërhiqem, posa e kam kuptuar se jam në atë komitet”, ka thënë ai.