Thellohet në 402 milionë euro deficiti tregtar i Kosovës

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.0 për qind në muajin tetor 2022, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 402.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 355.9 milionë euro të vitit të kaluar.

Eksporti mbulon importin me 17.7%

Importi i mallrave në muajin tetor ishte mbi 488 milionë euro.

“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2022 kishte vlerën 86.4 milionë Euro, ndërsa importi 488.7 milionë Euro, që është një rritje prej 19.1% për eksport dhe 14.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”-thuhet në komunikatë.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 20.7 për qind e përbëjnë produktet minerale, 18.5 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.9 për qind, e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 13.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.3% produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.8 për qind e përbëjnë produktet minerale, 11.8 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.3 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 10.2 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.2 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.6 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.0 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Mbi 203 milionë euro mallra nga BE-ja dhe vetëm rreth 38 milionë euro drejt tyre

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së [Bashkimit Europian] arritën në 37.7 milionë  euro, ose rreth 43.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.5 për qind.

Sllovenia dhe Gjerman ishte destinacioni i Kosovës për eksportin e mallrave

“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Sllovenia (14.1%), Gjermania (10.1%), Italia (5.4%), Holanda (3.3%), etj”- thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 203.3 milionë euro, ose 41.6 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 15.7 për qind.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 10.6 për qind, Greqia 4.8 për qind Italia 4.7 për qind, Belgjika 4.0 për qind, etj.

Në tetor, Kosova bleu më shumë mallra në Serbi e shiti në Maqedoninë e Veriut

ASK tregon se në muajin e kaluar, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 28.5 milionë euro, ose 33.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.4 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut 12.9 për qind Shqipëria 8.7 për qind, Serbia 6.4 për qind dhe Mali i Zi 4.0 për qind.

Importet e Kosovës nga vendet CEFTA-s kishin vlerën e mbi 83 milionë euro, me partner kryesor Serbinë.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milionë Euro, ose 17.0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4.0%)”.

Qindra miliona euro mallra nga vendet e tjera të botës

Kosova shkëmben mallra edhe me vendet tjera të botës, eksportet e Kosovës me këto vende arritën në 20 milionë euro, ose 23.2 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA 9.4 për qind, dhe Zvicra 8.5 për qind.

“Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 202.1 milionë Euro, ose 41.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.4%) dhe Kina (10.0%)”- njofton ASK.

Këto u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e të dhënave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor 2022.