Foto: Ministria serbe e Mbrojtjes

The Guardian: Serbia i vendos trupat në gjendje gatishmërie për shkak të tensioneve me Kosovën

Beogradi e ka vënë ushtrinë në një gjendje të shtuar gatishmërie për shkak të tensioneve me Kosovën fqinje shumë herë gjatë viteve të fundit.

Forcat e armatosura serbe janë në “nivelin më të lartë” të gatishmërisë, ka deklaruar ministri i mbrojtjes Milos Vuçeviq, duke i vënë në pah marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara të Serbisë me Kosovën fqinje për shkak të të shtënave dhe bllokadave të fundit të rrugeve atje, shkruan sot gazeta britanike The Guardian.

Që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, Beogradi ka refuzuar ta njohë atë dhe i ka inkurajuar 120,000 serbët etnikë të Kosovës që ta sfidojnë autoritetin e Prishtinës – veçanërisht në veri, ku serbët etnikë përbëjnë shumicën.

Herën e fundit kur ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie të shtuar ishte në muajin nëntor pasi qeveria serbe pretendoi se disa dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore serbe nga Kosova.

Më 10 dhjetor, serbët në Kosovën veriore ngritën barrikada për të protestuar kundër arrestimit të një ish-polici, i dyshuar si i përfshirë në sulmet kundër policëve shqiptarë etnikë.

Bllokada përkoi me një rritje të të shtënave të raportuara së fundmi, më e fundit të dielën, sipas forcës paqeruajtëse në Kosovë, KFOR.

Përmes një deklarate të hënën ministri i mbrojtjes Milos Vuçeviq ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka dhënë urdhër që kapaciteti i forcave e armatosura speciale të rritej nga 1500 në 5000, shkruan tutje The Guardian.

Këto urdhra nga Vuçiq vijnë pasi shefi i ushtrisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, u dërgua në kufirin me Kosovën të dielën sipas të cilit situata atje është e ndërlikuar dhe komplekse.

Veriu i Kosovës ka qenë veçanërisht i rrezikuar që nga nëntori kur qindra punëtorë serbë etnikë pjestarë të policisë së Kosovës si dhe në sektorin e drejtësisë, si gjyqtarë dhe prokurorë, u dorëheqën nga puna.

Protesta e tyre kishte të bënte kundër një vendimi të diskutueshëm për t’ia ndaluar serbëve që jetojnë në Kosovë t’i përdorin targat e automjeteve të lëshuara nga Beogradi zyrtar.

Mirëpo, largimet masive të serbëve kanë krijuar një vakum sigurie në Kosovë.

Autoritetet në Prishtinë u përpoqën t’i caktojnë zgjedhjet lokale të 18 dhjetorit në komunat me shumicë serbe – por ato u shtynë për shkak se ky njoftim shkaktoi zemërim të gjerë dhe partia kryesore politike serbe, Lista Serbe, doli me një njoftim se do t’i bojkotonte ato.

Më pas, më 10 dhjetor, një ish-polic i dyshuar për përfshirje në sulmet kundër policëve shqiptarë etnikë u arrestua  dhe si kundërpërgjigjie, pakica serbe ngriti barrikada të cilat  paralizuan trafikun rreth dy pikave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vetëm disa orë pasi u ngritën barrikadat, policia e Kosovës tha se ata pësuan tri sulme të njëpasnjëshme me armë zjarri në një nga rrugët që çojnë në kufi.

Në anën tjetër, KFOR-i, i cili ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij në rajon gjatë muajve të fundit, ka deklaruar se seria e fundit e dhunës erdhi të dielën kur u qëlluan në drejtim të ushtarëve letonezë, pjestarë të forcës KFOR.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiq ka deklaruar javën e kaluar se situata me Kosovën është “në prag të një konflikti të armatosur”.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës – i cili u mblodh të hënën – e fajësoi Serbinë për përkeqësimin e fundit të marrëdhënieve dhe e akuzoi të njëjtën se “po vepron me të gjitha mjetet në dispozicion kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, përfundon artikullin e as The Guardian.

Përgatiti: Nuhi Shala