“The Guardian” për Festivalin “Sunny Hill”, Dua Lipën, Rita Orën: Kosova – vendi i vogël me ndikim shumë të madh në pop-muzikën ndërkombëtare
Pas traumës së luftës, shteti më i ri në Europë ka shënuar një zhvillim aq të madh muzikor, saqë e stërmbushi festivalin e sivjetmë të Sunny Hillit në Prishtinë. Po çka i jep kaq shumë hov suksesit të tij?
Fushat e gjera në krye të fshatit kosovar, Bërnicë e Poshtme, ofrojnë një pamje spektakulare rreth e përqark. Qielli i kaltër përthyhet prej siluetave të maleve përreth Prishtinës, kryeqytet i Kosovës. Në horizont sheh edhe minare të gjata me shkëlqim të argjendtë dhe shtëpi me pullaze të kuqe. Dhe kur terri nis t’ia marrë anën dritës, skena ndriçohet dhe tingulli i basit e bën të veten, shkruan “The Guardian“.
Ky është Festivali Sunny Hill, një festë katërditore e muzikës pop, e organizuar prej yllit ndërkombëtar, Dua Lipa, dhe babait të saj, Dukagjin Lipa.
Turma këtu duket si një “Screenshot” i faqes së TikTokut, “For You”: veshje të modës së fundit dhe drita plot shkëlqim, me shumë pjesëmarrës nën moshën tetëmbëdhjetëvjeçare.
Vesa dhe Urta, të dyja 17-vjeçe, jetojnë në Prishtinë dhe po marrin pjesë për herë të parë dhe respektivisht për të dytën në festival. “Jeta e natës këtu është e çmendur” – thonë ato me entuziazëm. “Na pëlqen atmosfera dhe energjia”.
Si vendi që deklaroi pavarësinë prej Serbisë vetëm më 2008, Kosova është shteti më i ri në Europë edhe në aspekte të tjera: mosha mesatare e qytetarëve të saj është 29.5-vjeç, mbase e ndihmuar edhe nga fakti se kosovarët e rinj deri së voni nuk mund të përfitonin prej lirisë së lëvizjes brenda Bashkimit Europian. Popullsia e saj prej 1.8 milion banorësh është më pak se çereku i asaj të qytetit të New Yorkut, madhësia e territorit të saj është sa 3-përqindëshi i atij të Gjermanisë – gjë që e bën edhe me të jashtëzakonshëm ndikimin kaq të madh të vendit të vogël të Ballkanit në pop-muzikën ndërkombëtare.
Dua Lipa dhe Rita Ora, dy prej këngëtareve që kryesojnë top-listat botërore të muzikës, janë me rrënjë nga Kosova, të lindura prej prindërve që ishin larguar prej rajonit në flakë lufte në vitet nëntëdhjetë.
Edhe Lipa, edhe Ora këndojnë në anglisht, por të dy artistet shqipfolëse nga Kosova kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në Europë, Lindje të Mesme, Afrikë Veriore, Indi, Australi dhe Shtete të Bashkuara – një skenë e gjallë vendore e lidhur prej qëndrueshmërisë dhe kreativitetit në kaosin e pasluftës në Kosovë.
“Me mundësi të kufizuara rekreative në dispozicion, të rinjtë kanë kanalizuar energjinë e tyre në muzikë dhe arte” – shpjegon Gent Osmani, kompania e të cilit “Fole Publishing” distribuon dhe tregton klipe muzikore të yjeve shqiptare dhe kosovare.
Njëra prej tyre, Dhurata Dora, ka më shumë se 860 milionë “views” në YouTube me hitin e saj të madh “Zemër”, bashkëpunim i vitit 2019 me reperin algjerian, Soolking, që ishte pjesë e top-listave në Belgjikë, Zvicër dhe Francë. Bashkëpunimi i Dorës më 2021 me reperin francezo-kongolez SIMS, “Only You”, u certifikua si i artë në Francë dhe platin në Zvicër, dhe performanca e saj me yllin e “Voice of Albania”, Yll Limani, pa fije dyshimi kryeperformanca në gjuhën shqipe në festivalin e sivjetmë të Sunny Hillit.
Me vargjet e këngëve që kryesisht për bosht kanë dashurinë dhe tradhtinë, pop yjet e estradës kosovare shpesh bashkëpunojnë me artistë nga Shqipëria dhe diaspora, duke e mbushur YouTuben me klipe plot me pamje të bukura verore dhe veshje përplot me ngjyra me shkëlqim.
Ata përfshijnë gjithçka nga meloditë tipike të Ballkanit (si “Malli” i Albrim Llapqevës) deri te hitet e hip-hopit (si “I kom pa” i Butës dhe Noizyt), apo këngët e popit (përfshirë “Bonbonin” e Era Istrefit, që është shikuar në YouTube pothuajse një miliard herë.)
Shpesh përfshihen edhe instrumentet ballkanase, si gajdja, e punuar prej druri dhe lëkurës së deles, tingulli gumëzhitës i së cilës përdoret për efekt hipnotik në “Habibi” (remiks shqip) e DJ Gimi-O, Ricky Richit dhe Dardanit.
Skenat e rockut dhe popit të veçantë të Kosovës datojnë prej kohës kur ende ishte pjesë e Jugosllavisë. Atëherë, “shqiptarët e Kosovës kishin shumë më shumë liri, mobilitet dhe qasje në botën e jashtme sesa shqiptarët nga Shqipëria”, thekson Robert A Saunders, studiues amerikan, i cili hulumton identitetin në vendet post-sovjetike. “Dhe padyshim se për një brez që ishte lindur në dhunë, që ishte rritur prej prindërve që kishin kaluar luftën, kosovarët kanë një ndikim ndër brezash të të qenët minoritet i keqtrajtuar. Nëse ia hidhni një sy hip-hopit amerikan dhe temave të asaj muzikës, do të mishëroheshit përnjëmend me popullsinë shqiptare të Kosovës”.
Dhe derisa muzika kosovare vazhdon të përhapet në katër anët e globit, çështja është se sa nga suksesi i saj përfiton vendi i vogël nga e i cili ajo është me origjinë.
Sipas Dukagjin Lipës, ndikimi ekonomik i festivalit Sunny Hill në Prishtinë është rreth 20 milionë euro për një javë. Shumë hotele në qytet janë të rezervuara gjatë kohës së festivalit. Por me çmimin e biletave 200 euro për copë – pothuajse sa gjysma e pagës mesatare mujore në Kosovë – festivali mbetet i paarritshëm për shumë banorë vendas. Rreth 45 për qind e atyre që morën pjesë sivjet erdhën nga jashtë.
Sivjet më 1 janar, ata që kanë pasaporta kosovare nisën të gëzonin të drejtën e udhëtimit pa viza brenda Bashkimit Europian. Shumëkush druan se kjo do të shkaktojë ikjen e trurit nga vendi. Megjithatë, liberalizimi i vizave edhe do të lehtësojë lëvizjen e lirë të ideve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në muzikë dhe përtej saj. Në festival, rioshet Vesa e Urta, thonë se do të donin të studionin në universitete jashtë vendit, por që pastaj të kthehen në Kosovë. “Mendoj se Kosova është zgjedhja më e mirë për të jetuar. I kemi krejt shokët e shoqet këtu, mund të dilni midis nate dhe të ndiheni të sigurt”.
Në “Zone Club”, njëri prej klubeve më të njohura të natës në Prishtinë, ndeja zgjat deri në orët e vona. Derisa dyert hapen në 11:30, performuesi i parë nuk pritet të dalë në skenë deri në dy të mëngjesit. Agnesa 19-vjeçare, prindërit e së cilës janë nga Kosova, është ulur në një pjesë të qetë jashtë bashkë me shoqet e saj. Ajo ka fjalë të mira dhe shpresëdhënëse për industrinë e muzikës në Kosovë. Përnjëmend jam shumë krenare me të gjithë yjet e popit nga Kosova. Meqë Prishtina është e vogël, shpesh i shihni në zonat e VIP-ave në klube ose duke shëtitur në qytet. Skena është shumë e qasshme”.
Ajo tani jeton në Gjermani, ama ngulmon në të sajën se rrënjët ende ia dridhin zemrën. “Jam rritur këtu me muzikë dhe përnjëmend e kam dashur, ma ha mendja se çdo shqiptar mund të mishërohet me atë ndjenjë”. / The Guardian
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com