"Hive" - Foto: Everett Collection Inc/Alamy

The Guardian: Historia e luftës së një gruaje, "Zgjoi", pararojë e feminizmit kosovar

Festivali i vitit të kaluar rezultoi me një çmim të trefishtë për një film që e tregon historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një e ve kosovare e luftës e cila u rebelua kundër rendit patriarkal të fshatit të saj. Regjisorja Blerta Basholli dhe Hoti flasin për sjelljen në ekran të kësaj storie.

Më 25 mars të vitit 1999, gjithçka ndryshoi për fshatin e vogël kosovar të Krushës së Madhe, kur trupat serbe u futën brenda dhe i detyruan fshatarët të shpërngulen nga aty. Ata u kontrolluan për ar dhe bizhuteri dhe i grumbulluan duke i shtyrë në drejtim të xhamisë, ndërkohë që burrat u ndanë nga gratë. Gati 250 burra dhe djem u vranë ose u zhdukën në atë që do të bëhej një nga masakrat më të rënda të luftës së Kosovës. Bashkëshorti i Fahrije Hotit ishte në mesin e 64 të vrarëve, trupat e të cilëve nuk u gjetën asnjëherë.

Hoti, një grua e pashme e me flokë gri të prera mjeshtërisht, kujton ditët e tmerrshme që pasuan me një qartësi që rrëqeth trupin sa herë tregohet, sikur çdo detaj i luftës 15-mujore ndërmjet Kosovës dhe, atëbotë Serbisë e Malit të Zi të ishte ngulitur në kujtesën e saj. “Ata na thanë se kishin hapur një varr masiv dhe do të na ekzekutonin të gjithëve dhe do të na hidhnin në të. Të gjithë qanin dhe bërtisnin,” më thotë ajo, teksa flasim përmës platformës  Zoom nga shtëpia e saj, jo aq larg nga vendi ku ndodhi gjithçka. Në atë hallakamë, ajo u nda nga vajza e saj trevjeçare dhe mendoi se djali i saj tre muajsh kishte vdekur, pasi ai u kap nga krahët e saj dhe u hodh në një dysheme betoni. Por disi, që të tre mbijetuan, së bashku me vjehrrin e saj, i cili ishte shumë i vjetër dhe i dobët për t’u futur në kategorinë e më të rinjëve.

Dymbëdhjetë anëtarë të familjes së burrit të saj vdiqën në atë masakër, thotë ajo, dhe  shton se ajo ishte përgjegjëse për identifikimin e eshtrave të kunatit të saj dhe djalit të tij 16-vjeçar. Tani një film artistik, Zgjoi, është ekranizua për periudhën pasi ajo u kthye në fshatin e saj dhe po përpiqej ta rindërtonte jetën e saj. Filmi debutues i regjisores kosovare Blerta Basholli, Zgjoi ishte hit televiziv i festivalit Sundance të vitit të kaluar, duke u bërë filmi i parë që fitoi të trija çmimet kryesore në garën dramatike të kinematografisë botërore – çmimin e madh të jurisë, çmimin e publikut dhe çmimin e regjisë.

“Historia e Fahrijes pati një ndikim të madh tek unë”, thotë Basholli. “Duke qenë grua, nënë dhe që kam përjetuar vetë luftën, pata një ndësi të fortë dhe mendova se do të trokiste edhe në ndjenjat e njerëzve të tjerë, në një kohë kur gratë në mbarë botën po përballen me çështje të të drejtave të njeriut në një mënyrë ose në një tjetër”.

Gratë kosovare në një skenë nga filmi “Zgjoi”, Foto: Alexander Bloom

Me gjithë bujën dhe tmerret e skenarit të saj, është një vepër pa dramatizim, e cila e ndërton fuqinë e saj përmes vëmendjes ndaj krijimit të jetës pasi të ketë ndodhur më e keqja. Një kamion gjysmë i zhytur shtrihet në lumin lokal, ogurzi, por i pashpjegueshëm, ndërkohë që zyrtarët përpiqen t’i identifikojnë të vdekurit nga fragmentet e mbledhura në sallën sportive të shkollës. Historia fillon me Hotin (fytyrëashpëra Yllka Gashi) duke u futur fshehurazi në një kamion për të gërvishtur nëpër qeset e trupit për ta gjetur ndonjë gjurmë të burrit të saj dhe duke u thumbuar vazhdimisht nga bletët që e sigurojnë burimin e vetëm të të ardhurave të familjes. “Bletët nuk e përballojnë dot dhimbjen dhe zemërimin, ndaj më është dashur të heq dorë prej tyre”, shpjegon Hoti, me Bashollin duke përkthyer bisedën tonë.

E dëshpëruar, ajo u rikthye një aftësi që shumica e grave të fshatit u lejuan ta shfaqnin në komunitetin e saj thellësisht konservator, atë për të gatuar. Pak kohë më pas, Fahrija e gjeti vetën në bodrumin e saj duke prodhuar kavanoza me ajvar (salcë speci); por kur ajo mori hua një veturë të vjetër dhe mësoi se si duhej të voziste vetura në mënyrë që t’i transportonte kavanozat për shitje në një supermarket lokal, ajo kaloi linjen e kuqe. Gratë filluan ta injorojnë atë, ndërkohë që burrat përpiqeshin  vazhdimisht ta sabotonin biznesin e saj. Vetë vajza e saj iu lut asaj që të ndalonte çfarë ishte duke bërë sepse shndërrohej në turp për familjen e saj.

Reagimi i vetëm i Fahrijes ishte t’i harrnonte dritaret e thyera me shiri izolues, ta pastronte rrëmujën dhe të vazhdonte tutje; filmi e shfaq atë ngadalë por me siguri duke i bindur gratë tjera, ndërkohë që burrat vazhdonin ta sulmonin me ofendime dhe gurë nga fortesa e tyre në kafenenë lokale. Me gjithë fokusin e saj të ngushtë në rolin e aktorit kryesor të Yllkës, filmi është një homazh emocionues jo vetëm për një grua, por për vlerën e vendosmërisë dhe qëndrueshmërisë për të gjitha gratë që përballen me luftën dhe sistemet e rrënjosura patriarkale. Shfaqja e të vejave dhe vajzave të shtypura të Krushës së Madhe në një hapësirë të përbashkët pune u jep atyre mundësinë t’i shkëmbejnë historitë e tyre, ta krahasojnë jetën e tyre dhe ta gjejnë një hapësirë të sigurt për të buzëqeshur dhe për të vallëzuar.

Blerta – e cila, sikurse Fahrija, është me etni shqiptare – ishte një adoleshente që jetonte në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kur shpërtheu lufta. Gjysma e familjes së saj u arratis përmes Maqedonisë në Gjermani, ndërsa gjysma tjetër u detyrua të përballet me situatën e atëhershme pas mbylljes së kufijve. Ishte i dashuri i saj (tani bashkëshorti i saj) ai i cili e lajmëroi atë për historinë e Fahrijes ndërkohë që vetë ajo ishte në Nju Jork, duke studiuar për master filmi. Së bashku me Yllken dhe një aktor tjetër – që të dy yje televizivë në Kosovë – ajo udhëtoi për në fshat e Krushës së madhe duke pritur që të bisedonte me Fahrijen që ajo t’lejonte ato që ta bënin një film të jetës së saj, por pa se ishte gruaja më në moshë ajo që fliste.

“Kur e pyeta nëse ende e pret burrin e saj, ajo tha: “Po, ende pyes veten: po sikur të kthehet i gjallë? Unë u trondita nga ajo përgjigje”, thotë Basholli. “Duhet të jetë e tmerrshme të presësh kaq gjatë dhe ende të shpresosh dhe të mos kesh ende asnjë përgjigje. Prandaj më është dashur të punoj shumë me Yllka Gashin për ta kuptuar se si duhet të ndihesh të jesh një Fahrije Hoti. Mbi të gjitha rritja e fëmijëve në këto rrethana. Nuk mund ta imagjinoj sa e vështirë duhet të jetë, dhe, megjithatë, ajo arriti t’i bëjë të gjitha, u bë e fortë dhe vazhdoi.”

I realizuar në një lokacion në një fshat fqinj, për shkak se vetë Krusha e Madhe u shkatërrua aq shumë në luftë saqë duhej të rindërtohej tërësisht, filmi jep një pamje dokumentare të një shoqërie që u harrua nga feminizmi, duke i përdorur banorët vendas si ndihmës. Martesa e Fahrijes u organizua nga familja e saj, thotë ajo, por ajo ishte me fat që vjehërrit e saj ishin relativisht mendjehapur. Si e sapomartuar, ajo dhe bashkëshorti i saj inxhinier mekanik udhëtuan në Gjermani në mënyrë që ai të mund të punonte si punëtor pa dokumente në kantieret e ndërtimit. Asaj iu mundësua ta bënte punën e rrobaqepëses në shtëpi për të kontribuar në të ardhurat e familjes. Disa gra, thekson ajo, nuk u lejoheeshin as të shkonin te mjeku pa një shoqërues me vete.

Pas përfundimit të luftës, kjo familje ishte ndër të parat që u kthyen në fshat, e shtyrë nga vendosmëria për ta gjetur burrin e Fahrijes dhe për t’i sjellë vrasësit para drejtësisë. Fahrija dhe fëmijët e saj u vendosën në shtëpi me vjehrrin e saj, i cili shfaqet, në film, duke u ankuar për biznesin e tij dhe duke hedhur poshtë vendimin e saj për ta shitur sharrën e stolit të burrit të saj. Mirëpo, me gjithë mosmarrëveshjet e tyre, mes tyre ekziston një lidhje e bazuar në dashurinë e përbashkët të fëmijëve dhe refuzimin për ta pranuar që burri i saj – djali i tij – ka vdekur.

Fahrije shkoi për të parë filmin me një grup grash vendase. Si është t’i përjetosh kujtimet kaq të dhimbshme dhe personale të shfaqura nëpër ekran? “Të them të vërtetën, nuk prisja që njerëzit të interesoheshin kaq shumë për historinë time. Mendova se do ta refuzonin, duke thënë se “të gjithë duhet të punojnë, të gjithë duhet t’i thyejnë tabutë”, thotë ajo. “Mirëpo, filmi më ktheu në retrospektivë dhe ndihem krenare që historia jonë tani po shihet nga e gjithë bota.”

Megjithatë, jo të gjithë ishin pozitivë. Fahrije mori një mesazh që e akuzonte se po turpëronte veten, familjen dhe gjithë fshatin duke shpifur për burrat. “Tashmë jam më e vjetër. E kam të vështirë të merrem me këto gjëra”, thotë ajo. “Por nëse atëherë do të kisha dëgjuar çfarë thoshin njerëzit, nuk do të isha këtu ku jam sot.”

Ajo jeton ende në fshat, por kohët e fundit e ka zhvendosur biznesin e saj nga shtëpia e saj në një fabrikë, ku prodhon ajvar dhe turshi dhe shpreson ta bëjë të shumëllojshëm reçelin e saj. Përveç punësimit të rreth 50 grave vendase, ajo i mbështet të tjerat duke i blerë perimet e tyre dhe duke ndihmuar në shitjen e produkteve të tyre. Vjehrri i saj nuk jeton më, mirëpo dy fëmijët e saj punojnë bashkë me të.

“Mbi të gjitha,” thotë Basholli, “shpresoj që, përveç lidhjes me të, njerëzit mund të inkurajohen prej saj që të shpresojnë edhe më tutje – ne të gjithë kemi nevojë për shpresë që të mund të vazhdojmë me jetën përpara. Fahrije kishte çdo arsye për t’u dorëzuar dhe ajo vendosi të mos e bënte këtë, dhe gra të tjera iu bashkuan asaj për ta ndërtuar të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke e ndryshuar mendësinë e të gjithë fshatit.”

Pas një armiqësie kaq të egër, si pati zemër t’i falte burrat e fshatit?

“Nuk i kam falur”, thotë ajo, “por kam punuar me ta, në mënyrë që ata ta kenë një pasqyrë të qartë se kush jam, çfarë po bëj dhe pse po e bëj. Unë i rrita fëmijët e mi; U ndërtova një shtëpi dhe tani edhe vajza ime është e martuar në të njëjtin fshat, kështu që fëmijët e mi nuk i kanë braktisur rrënjët tona”.

Nevojitet edhe shumëcka që duhet ndryshuar, thotë ajo. “Ndoshta një 40% ka ndryshuar dhe ne duhet ta bëjmë atë 100%. Por e mira është se fëmijët e luftës janë rritur. Ata po udhëtojnë më shumë se ne. Ata tani po shkojnë në universitete dhe po i shohin gjërat ndryshe. Tashmë janë bërë gati 23 vjet nga lufta. Gratë janë më të lira.” Duke shpërthyer në atë lloj të qeshurash që personazhi i saj televiziv nuk do t’ia kishte dalë asnjëherë, ajo shton: “Ne tani po pimë edhe kafe në kafene”./Claire Armitstead – The Guardian