“The Economist” për akuzat ndaj Thaçit para nisjes së bisedimeve me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përballet me akuza për krime lufte pak kohë para se të udhëtonte drejt Amerikës për një samit në Shtëpinë e Bardhë, shkruan “The Economist”.

Me shumë gjasë, Hashim Thaçi nuk e priste se do të akuzohej për krime lufte, vrasje dhe tortura pasditen e 24 qershorit. Pak orë më parë, Presidenti i Kosovës kishte qenë i zënë me një debat me shumë bujë lidhur me një samit që po planifikohej të mbahej tri ditë më vonë në Shtëpinë e Bardhë me Aleksandar Vuçiqin, homologun e tij serb. Madje, ndoshta, kjo do të kishte rezultuar me një ceremoni nënshkrimi në Rose Garden (Kopshtin e Trëndafilave). Richard Grenell, diplomat amerikan, kishte bërë gjithçka për të siguruar takimin duke shpresuar se do t’i ofronte Presidentit Donald Trump një sukses të rrallë të politikës së jashtme për t’i dhënë një shtysë  fushatës së tij elektorale.

Thaçi ka qëndruar lart në politikën kosovare qyshkur e ndërroi kostumin e tij në fund të luftës së Kosovës në vitin 1999. Ai ishte gjithmonë më shumë një komisar politik sesa një luftëtar, por ishte një figurë kyçe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila kishte luftuar për t’i dhënë fund sundimit serb. Atë vit, pas 78 ditësh bombardimesh nga NATO, Serbia ia dorëzoi Kosovën Kombeve të Bashkuara, KB, për ta administruar; dhe në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Serbia nuk e ka njohur asnjëherë.

Thaçi dhe Kadri Veseli, udhëheqësi i partisë së tij politike, u akuzuan nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, një organ i ri në Hagë, me mbështetjen e BE-së dhe Amerikës, që u themelua në vitin 2015 pas një votimi të bërë në parlamentin e Kosovës. Megjithëse stafi i këtyre dhomave të specializuara është i përbërë nga gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë, këto dhoma funksionojnë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe konsiderohet të jetë institucion kosovar.

Në vitin 2010 një prokuror zviceran kishte hartuar një raport për Këshillin e Evropës ku përfshinte Z. Thaçi në kontrabandë droge dhe vrasje, akuza të cilat ai i ka mohuar gjithmonë. Si rezultat, aleatët e tij në Evropë dhe Amerikë e inkurajuan Z. Thaçi që të mbështeste themelimin e dhomave dhe juridiksionin e tyre. Ai e bëri një gjë të tillë – por më vonë u pendua për këtë. Vitin e kaluar ai loboi që këto dhoma të specializuara të mbylleshin.

Sidoqoftë, akuzat ende duhet të konfirmohen nga një gjykatës i procedurës paraprake. Ajo që duket të jetë e çuditshme është arsyeja e dhënë nga prokuroria për publikimin e akuzave para se të ketë ndodhur kjo. Z. Thaçi dhe Z. Veseli “besohet se kanë ndërmarrë një fushatë të fshehtë” për ta penguar punën e gjykatës “për të siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë”, ishte sqarimi i dhënë nga prokurorët.

Koha e njoftimit, thotë Agron Bajrami, redaktor i së përditshmes më të madhe në Kosovë, thotë se, me shumë gjasë, diçka ishte në proces e sipër që i bëri prokurorët t’i bëjnë publike akuzat e tyre ndërkohë që Z. Thaçi ishte gati të nisej për në Uashington. Samiti i planifikuar në Uashington shihej si një shans që do t’i jepte reputacion si Z. Trump ashtu edhe Z. Thaçi. Jo tash.