Thaçi zotohet për transparencë dhe legjitimitet pas takimeve me liderët e partive politike

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimeve me krerët e tri partive politike parlamentare sot, atë me Albin Kurtin e LVV-së, Isa Mustafën e LDK-së dhe Kadri Veselin e PDK-së, ka paralajmëruar edhe takimet për të enjten me përfaqësues të subjekteve të tjera parlamentare.

Në një adresim para mediave, Thaçi u zotua se nga këto procese do të ketë transparencë të plotë dhe respektim të Kushtetutës, ligjeve dhe praktikave të mëhershme, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti me 25 mars.

“Baza ime për më tutje do të jetë respektimi i plotë i legjitimitetit qytetar të 6 tetorit, duke marr parasysh në tërësi edhe mocionin të votëbesimit apo shkakrimin e qeverisë. Veprimet e mëtejshme, që do të ndërmarr, do të jenë transparente, në përputhmëri me Kushtetuen ligjet por edhe praktikat e mëhershme të cilat kanë qenë të deklaruarar sipas vullnetit të partive politike. Do të jetë një proces i konsultuar, kushtetues dhe ligjor për çka ju do të informoheni pas përfundimit të të gjitha konsultave që do t’i zhvilloj edhe nesër”, tha presidenti.

Thaci bëri të ditur se nesër do të vazhdojë t’i takojë edhe liderët e subjekteve të tjera, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn, atë të Nismës Fatmir Limajn, përfaqësuesit e Listës Serbe, por edhe ata të Grupit Parlamentar 6+.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës  – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19.