Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e të tjerët aplikojnë për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot ka pranuar aplikimet për votim nga ish- presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-deputeti Rexhep Selimi, nga drejtuesit e OVL të UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Harandinaj, si dhe nga Sali Mustafa, të cilët aktualisht ndodhen në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Tutje KQZ njofton se të gjitha aplikimet janë verifikuar personalisht dhe janë regjistruar.

KQZ ka falënderuar Ambasadën holandeze për ndihmën e ofruar për t’u mundësuar të lartëcekurve aplikimin.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve falënderon për bashkëpunim administratën e Dhomave të Specializuara. Po ashtu, KQZ falënderon edhe ambasadën e Republikës së Kosovës në Holandë që ka ndihmuar në komunikim me Dhomat e Specializuara”, thuhet në komunikatë.

Ish- presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-deputeti Rexhep Selimi, drejtuesit e OVL të UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, si dhe ish-komandanti i UÇK-së, Sali Mustafa, janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale për krime lufte e krime kundër njerëzimit.