Thaçi, Veseli e Haradinaj urojnë Hotin të shërohet nga COVID-19

Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se pas testimit për COVID-19 ka rezultuar pozitiv.

Në anën tjetër pas njoftimit, të shumta kanë qenë mesazhet nga personalitete të ndryshme të cilët i kanë uruar shërim të shpejtë Hotit,

Presidenti Thaçi me anë të një postimi në Facebook, ka shkruar uruar Hotin të shërohet sa më shpejt ndërsa ka bërë thirrje edhe që të zbatohen rekomandimet e IKSHPK-së nga ana e qytetarëve.

“Kryeministrit Avdullah Hoti i uroj ta kalojë sa më lehtë dhe të shërohet sa më shpejtë nga COVID-19. Qytetarëve të Kosovës u bëj thirrje që t’i zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta tejkalojmë këtë periudhë të vështirë.

Të gjithë të prekurve u uroj shërim dhe rikthim sa më të shpejtë në normalitet”, ka shkruar Thaçi.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se uron shërim edhe Hotit por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë të prekur me COVID-19.

“Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe gjithë qytetarëve të prekur nga Covid-19, ju uroj shërim të shpejtë dhe rikthim në angazhimet e tyre të përditshme. Bashkëndjej me të gjithë ata që humbën të afërmit e tyre, duke bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që në funksion të ruajtjes së jetës njerëzore, t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Paralelisht, Qeveria e Republikës duhet ndërmarrë veprime konkrete për rimëkëmbjen ekonomike. Mirëqenia e qytetarëve asnjëherë nuk duhet vënë në rrezik. Andaj, të veprojmë të bashkuar që ta kalojmë me sukses edhe këtë krizë që ka kapluar të gjitha shtetet e botës”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe Kadri Veseli me anë të një postimi në Facebook, ka shkruar se i uron shërim të shpejtë kryeministrit Hoti.

“Shërim të shpejtë për Kryeministrin Avdullah Hoti. Uroj që ai dhe qindra qytetarë të Kosovës ta kalojnë sa më lehtë përballjen me Covid-19. Po ashtu, i lus të gjithë qytetarët që të bëjnë kujdes për veten dhe të tjerët, t’i bartin maskat dhe ta mbajnë distancën e higjienën”, ka shkruar Veseli.

Hoti pas rezultatit pozitiv me COVID-19, ka njoftuar se nuk do ta ndal punën por do të koordinohet me zëvendëskryeministrat dhe do të punoj në mënyrë online.

Në anën tjetër edhe kabineti i Kryeministrit Hoti ka njoftuar se do të punojnë në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së.