Thaçi uron besimtarët për Fitër Bajram, bën thirrje që të shmangen vizitat te njëri-tjetri

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka uruar të gjithë besimtarët e fesë Islame për festën e Fitër Bajramit.

“Besimtarët myslimanë sot e kanë ditën e fundit të agjërimit dhe e përfundojnë muajin e Ramazanit. Ky muaj i madhërishëm sivjet ishte më ndryshe për shkak të pandemisë, por ai forcoi besimin, durimin dhe disiplinën fizike e shpirtërore te çdo besimtar”, ka shkruar në Facebook Thaçi.

Presidenti ka bërë thirrje që të shmangen vizitat te njëri-tjetri në këtë kohë pandemie.

“Njëkohësisht me urimin që agjëruesve t’u jenë pranuar sakrificat dhe lutjet, besimtarëve myslimanë ua uroj Fitër Bajramin, i cili është gëzim i përbashkët dhe vazhdim i bujarisë dhe bamirësisë ndërnjerëzore. Rreziku nga pandemia ende nuk ka kaluar, prandaj u bëj thirrje që në këto ditë feste të shmangen vizitat tradicionale te njëri-tjetri, sepse vetëm disiplinë dhe kujdes të shtuar mund t’i gëzohemi së shpejti edhe tejkalimit të kësaj situate”, ka deklaruar tutje ai.

“Paqja, solidariteti, mirëqenia dhe toleranca uroj të mbizotërojnë përherë në mesin tonë dhe kudo në botë!”, thuhet në fund të postimit të tij.

Sot gjatë ditës, urime për Fitër Bajram ka bërë edhe Albin Kurti. Ai së bashku me Myftiun, Naim Tërnava, bën thirrje që të shmangen vizitat te njëri-tjetri.

Nga distanca, Kurti ia uron Myftiut Tërnava Fitër Bajramin

www.kallxo.com