Thaçi tregon se çfarë bisedoi me emisarin e Trump për Kosovën

Presidenti Thaçi ka pritur sot në takim ambasadorin Richard Grenell. Pas takimi me Thaçin, Grenell ka takuar edhe zyrtarë tjerë politik të Kosovës.

Në një komunikatë për media, presidenti Thaçi ka deklaruar se vëmendja e ShBA-së për Kosovën shton besimin në arritjen e marrëveshjes së paqes me Serbinë.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë””, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit.

Në anën tjetër, zyra e Presidentit citon Grenellin të ketë thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të takohen sa më shpejt për gjetjen e një zgjidhje.

“Ambasadori Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje. Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Presidentit.

Në takim, përveç Grenellit ishte edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë.