Thaçi tregon për diskutimet në seancën e Forumit të Paqes në Paris

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se në seancën plenare të Forumit të Paqes në Paris, janë bërë bashkë udhëheqës shtetesh nga e gjithë bota, dhe se në këtë Forum është theksuar rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të paqes kudo në botë.

Thaçi përmes një publikimi në Facebook, ka deklaruar se Republika e Kosovës vazhdon të mbetet faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, e përkushtuar gjithnjë për të dhënë kontribut në sigurinë rajonale dhe globale.

“Ne e dimë më së miri sa i rëndësishëm është të jetuarit në një mjedis të qetë dhe paqësor. Ashtu siç e dimë, që perspektiva e vetme për një paqe të qëndrueshme në rajonin tonë është integrimi i të gjitha shteteve të Ballkanit në NATO dhe Bashkim Evropian”, ka shkruar presidenti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij në Paris ka pasur një takim me homologun francez, Emmanuel Macron, me të cilin ka biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentit, bëhet e ditur se Thaçi ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për marrëveshje paqësore me Serbinë.

“Jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të arrijmë një marrëveshje paqësore përfundimtare, që do të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Vizita e Thaçit në Paris, i pason refuzimit të tij që të marrë pjesë në Samitin e Ohrit në fundjavë, ku u diskutua për Mini-Schengenin ballkanik.

Thaçi ka bërë të ditur arsyet e këtij refuzimi që sipas tij përfshin edhe “anashkalimin që Serbia i kishte bërë Kosovës në samitin e kaluar rajonal.

Ai ka shtuar se Kosova ka vizion për pranim në BE dhe nuk e zëvendëson këtë aspiratë.

Samiti i Ohrit për iniciativën për Mini-Schengenin nisi pas vendimit të BE-së për të mos i hapur negociatat për pranim të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.