Foto: Facebook

Thaçi thotë se do të flasë për liberalizimin e vizave, në darkën e shtruar nga Macron

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sonte do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në fillim të Forumit të Paqes në Paris.

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, para darkës presidenti Thaçi do të ketë një takim me presidentin Macron, me të cilin do të bisedojë për perspektivën europiane të Kosovës, “me theks te veçantë te nevoja për një vendim të menjëhershëm dhe meritor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

“Presidenti Thaçi nesër do të flasë në një panel të veçantë për sukseset dhe sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Kosovë. Forumi i Paqes i Parisit është mbajtur për herë të parë vitin e kaluar, në 100 vjetorin e armëpushimit që solli fundin e Luftës së Parë Botërore dhe synon të bëjë bashkë udhëheqës të shteteve, të organizatave kryesore ndërkombëtare dhe të institucioneve tjera, që të bashkëpunojnë për arritjen dhe forcimin e paqes në botë”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Vizita e Thaçit në Paris, i pason refuzimit të tij që të marrë pjesë në Samitin e Ohrit në fundjavë, ku u diskutua për Mini-Schengenin ballkanik.

Thaçi ka bërë të ditur arsyet e këtij refuzimi që sipas tij përfshin edhe “anashkalimin që Serbia i kishte bërë Kosovës në samitin e kaluar rajonal.

Ai ka shtuar se Kosova ka vizion për pranim në BE dhe nuk e zëvendëson këtë aspiratë.

Samiti i Ohrit për iniciativën për Mini-Schengenin nisi pas vendimit të BE-së për të mos i hapur negociatat për pranim të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

Ndërkohë, presidenti Thaçi, një ditë më parë deklaroi se Franca mund të luajë rol kyç në procesin e ardhshëm të zgjidhjes përfundimtare të paqes dhe njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi.

Thaçi: Franca mund të ketë rolin vendimtar në marrëveshjen Kosovë-Serbi