Thaçi: Tani është koha që Avdullah Hoti të marrë përgjegjësinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ka qenë shumë i kujdeseshëm me mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Sipas Thaçit tani duhet që sa më shpejt të formohet Qeveria e re e Kosovës, pasi që, sipas tij, nuk ka kohë për të humbur.

“Tani pres që sa më parë të themelohet Qeveria e re, pasi që rrethanat kërkojnë një qeveri funksionale dhe efektive. Kosova nuk ka luksin që të ketë vakuum në qeverisje, na duhen institucione që lëvizin gjërat përpara me prioritete të qarta, jo institucione viktimë e së kaluarës dhe stagnimit”, tha presidenti në konferencë për media.

Sipas Thaçit është një hap i mirë kërkesa e LDK-së për seancën për votimin e Qeverisë së re të mërkurën.

“Është mirë që orientimisht është përcaktuar dita e seancës së re, andaj ftoj partitë politike dhe të nominuarin për kryeministër që të marrin përgjegjësi. Kosova ka humbur shumë kohë duke ndërruar qeveri e kryeministra, Kosova është dëmtuar dhe vonuar si në rrafshin e brendshëm gjithashtu edhe në atë të jashtëm”, tha ai.

Sipas Thaçit tani është koha për rimëkëmbjen ekonomike pas dëmeve nga pandemia COVID-19.

“Tani është koha për reflektim stabilitet, unitet dhe  punë të përbashkët për rimëkëmbjen ekonomike, është koha që të vazhdojmë reformat në të gjithë sektorët e jetës që të sigurojmë zhvillim dhe prosperitet”, tha ai.

LDK sot ka dorëzuar kërkesën për seancë për votimin e Qeverisë së re në koalicion me AAK, Nisma, Listën Serbe si dhe disa deputetë nga pakicat.

Kjo kërkesë është dorëzuar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka dhënë të drejtë presidentit me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër.