Thaçi takon kongresistin Engel: Miqësia Kosovë-ShBA do të zgjasë përgjithmonë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar edhe kongresistin Eliot Engel, Kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme.

Thaçi ka deklaruar se miqësia e Kosovës me ShBA-të do zgjasë përgjithmonë.

“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë miqësi të thellë, lidhje të veçantë, që do të zgjasë përgjithmonë. Ju me angazhimin tuaj për tri dekada jeni ndër ata që e kanë ndërtuar këtë marrëdhënie të veçantë”, u shpreh presidenti.

Kreu i shtetit të Kosovës, në këtë takim ka theksuar se Kosova është e angazhuar për të ndërtuar paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor dhe se për 12 vite shtet ka bërë progres të madh.

Ligjvënësi amerikan Engel në vazhdimësi ka shprehur përkrahje për Kosovën, përderisa disa herë ka vizituar vendin.

Ndërkaq, Thaçi në Amerikë është pritur në një takim nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Në këtë takim, Thaçi ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së.

Temë e këtij takimi ishte edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, sekretari amerikan Pomepo ka thënë se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.