Thaçi takon ambasadorët e Quintit: Respektimi i Kushtetueses, jetike për demokracinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë të ditur se ka pasur një takim me ambsadorët e vendeve të Quintit në Kosovë dhe përfaqësuesen speciale të BE-së, Natalyia Apostolova.

Thaçi përmes një publikimi në Twitter njoftoi se në këtë takim është diskutuar për rimëkëmbjen e ekonomike pas COVID-19.

Ai mes tjerash ka shtuar se respektimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht Gjykatës Kushtetuese, është jetike për demokracinë.

“Takim i mirë me ambasadorët e Quint dhe përfaqësuesen special të BE-së, për të diskutuar rimëkëmbjen ekonomike pas COVID-19 dhe forcimin e institucioneve demokratike. Respektimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht Gjykata Kushtetuese, është jetike për demokracinë”, thuhet në publikimin e presidentit.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese dje përmes një komunikate për media, ka bërë një reagim ndaj diskursit publik ditëve të fundit, që e ka quajtur kërcënues.

Kushtetuesja në këtë reagim ka thënë se Presidenti, Kryeministri në detyrë dhe bartës të institucioneve, duke akuzuar njëri-tjetrin, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës, në lidhje me dekretin e presidentin për mandatarin e ri.

“Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore.Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individual, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje”, thuhet në reagimin e Kushtetueses.

Ndërkohë, Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, shefat e Misioneve të BE-së, Ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Shefi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën, dhe menaxheri i Bankës Botërore përmes një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar që të lihen anash dallimet politike në Kosovë.

Në këtë deklaratë ata kanë thënë se qëndrojnë me njerëzit e Kosovës në këto kohë sfiduese dhe janë të vendosur të vazhdojë të mbështesin Kosovën për tejkalimin e krizës.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përmes një deklarate ka ftuar për bashkëpunim në skenën politike kosovare duke shmangur kështu retorikën e politizuar.

Në këtë deklaratë thuhet se SHBA-të kanë inkurajuar dhe vazhdojnë të mbështesin bashkëpunimin rajonal në mbështetje të mirëqenies së qytetarëve – përfshirë këtu luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Ne i ftojmë të gjitha palët që të shmangin retorikën e politizuar dhe të bashkohen rreth zgjidhjeve praktike për të lehtësuar lirinë e lëvizjes së furnizimeve mjekësore dhe mundësohet personelit t’i monitoroj komunitetet e prekura. Le t’i vendosim jetët e njerëzve në rend të pare”, thuhet në këtë reagim.

Deklaratat vijnë në kohën kur mes krerëve institucional të vendit ka pasur akuza të ndryshme sa i përket situatës me COVID-19 dhe jo vetëm.

Partitë politike në Kosovë janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për mandatimin lidhur me formimin e qeverisë së re, apo shkuarjen në zgjedhje pas pandemisë.