Thaçi takohet në Washington me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo
26.2.2020 - 21:37
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në takim nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në kuadër të vizitës zyrtare që presidenti po e bën në ShBA.
Në këtë takim, Thaçi ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së.
Temë e këtij takimi ishte edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja e përhershme e paqes, në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të thotë paqe për tërë Evropën Juglindore, do të thotë kthim kah e ardhmja, do të thotë zhvillim dhe prosperitet”, ka deklaruar Thaçi në takim sipas njoftimit të Presidencës.
Presidenti i vendit po ashtu është shprehur se Kosova do të vazhdojë të bashkërendojë çdo hap të saj me Shtetet e Bashkuara.