Thaçi takohet me Dakën, Lumezin e Maxhunin për rastin e helmimit në KQZ
Presidenti Hashim Thaçi në orët e para të mëngjesit ka pritur në takim kryetaren e KQZ-së, kryeprokurorin e shtetit dhe Drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për tu informuar mbi rezultatet e hetimeve ndaj dyshimeve për helmimin e zyrtarëve të KQZ-së që kishin kontakt me votat e ardhura nga Serbia.
Valdete Daka, Aleksandër Lumezi e Shpend Maxhuni i kanë shkuar sot në zyre Hashim Thaçit për të folur mbi rrjedhën e hetimeve për këtë rast.
Sipas njoftimit ngaZyra e Presidentit, Thaçi ka kërkuar nga tre zyrtarët që t’i shkojnë këtij hetimi deri në fund.
“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në komunikatën e zyrës së presidentit.
Përfaqësuesit e këtyre tri institucioneve kanë deklaruar se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve. Ky ekzaminim pritet të bëhet së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.
Tutje, Thaçi i ka ftuar për përmbajtje nga deklarimet politike dhe raportimet e pakonfirmuara derisa të ketë përfundim të hetimeve.