Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Thaçi sot takon Kurtin, Mustafën e Veselin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot pret në takime të ndara konsultative kryetarët e tri subjekteve politike.

Në një njoftim të Presidencës thuhet se në orën 10:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Albin Kurti, ka deklaruar dje se ai do të shkojë te presidenti në cilësinë e kryeministrit në detyrë.

Kurse, në orën 10:30, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, si dhe në orën 11:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

Zyra e Presidentit ka bërë të ditur se nga takimet për gazetarët do të ketë pamje vizuel, për shkak të situatës së krijuar me coronavirus.

“Si rrjedhojë e masave të ndërmarra kundër virusit COVID19 dhe rekomandimeve të personelit shëndetësor për ta ulur rrezikun, për shkak të hapësirës së papërshtatshme për dhjetëra gazetarë, fotografë e kameramanë në Zyrën e Presidentit, Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun do të përkujdesët që mediave t’ua dërgojë pamjet vizuale dhe fotografitë e këtyre takimeve”, thuhet në njoftim.

Presidenti  Hashim Thaçi pritet sot do të nis takimet konsultative me liderë e partive politike parlamentare, si përpjekje për formimin e qeverisë së re, pas rrëzimit të ekzekutivit të Albin Kurtit nga Kuvendi i Kosovës me 25 mars.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës  – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga CoVid-19.