Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Thaçi: Si asnjëherë më parë, në Kosovë kërkohet ta ruajmë unitetin e brendshëm politik e qytetar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke kujtuar negociatat e delegacionit kosovar në Rambuje, 21 vjet më parë, ka bërë thirrje që edhe për integrim në NATO dhe BE, në Kosovë të ruhet uniteti i brendshëm politik dhe qytetar.

Thaçi tha se në Rambuje, 21 vjet më parë, Kosova për herë të parë ka folur dhe ka vendosur për vetveten.

“Pas negociatave rraskapitëse, tri javore, delegacioni ynë i ofroi bashkësisë ndërkombëtare pajtueshmëri në parim për marrëveshjen e negociuar. Shteti i Serbisë, paralelisht me gjenocidin që kryente në Kosovë, refuzoi mundësitë për arritjen e marrëveshjes për paqe”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Presidenti Thaçi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje në Rambuje, Kosova u radhit në anën e drejtë të historisë.

“Pas konsultimeve dhe marrjes së pëlqimit nga populli i Kosovës, marrëveshja në mes palës kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare zyrtarisht u nënshkrua në muajin mars, në Paris. Kosova u radhit në anën e drejtë të historisë, në bashkësinë e popujve që ndajnë vlerat dhe parimet e civilizimit perëndimor. Pas kësaj ndodhi intervenimi i NATO-s dhe fituam lirinë, para se të bëhemi shtet”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka shtuar se Kosova, për 12 vjet pavarësi ka arritur më shumë se cilido shtet tjetër. Po ashtu, presidenti ka kujtuar heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e ndërkombëtarëve në prag të përvjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së arritur në Rambuje.

“Në këtë ditë kujtojmë të gjithë heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së dhe partnerëve tjerë euroatlantikë. Edhe sot, në kapitullin e ri për integrim në NATO dhe BE, si asnjëherë më parë, në Kosovë kërkohet ta ruajmë unitetin e brendshëm politik e qytetar dhe të ecim përpara bashkë me miqtë ndërkombëtarë”, ka përfunduar Thaçi.