Thaçi: Shumë shpejt do të na duhet ta shfuqizojmë Ligjin për pasurimin e miellit

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” se shumë shpejt Kosova do të jetë e detyruar të shfuqizojë Ligjin për pasurimin e miellit për shkak të presionit ndërkombëtar.

Sipas Thaçit, për shkak të këtij Ligji, kompanitë në të cilat Kosova blen miell po detyrohen të instalojnë pajisje shtesë në fabrikat e tyre.

“Shumë shpejt do të jemi të detyruar që ta shfuqizojmë si ligj (Ligjin për pasurimin e miellit), për shkak të presonit ndërkombëtar sepse asnjë shtet në Evropë nuk e ka dhe sa herë dërgojnë ngarkesa për Kosovën janë të detyruar të vendosin pajisje shtesë në fabrikat e tyre. Është çështje e kulturës tonë që ne e përdorim bukën e bardhë dhe nëse ne do të përdornim miell tip 800 dhe 1100 që ne i quajmë integrale sepse kanë acid folik dhe hekur sepse lëvozhga e grurit ka mjaftueshëm këto elemente kimike”, ka thënë Thaçi.

Ligji për pasurimin e miellit ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2012.

Pasurimi i miellit është i obligueshëm me hekur dhe acid folik dhe zbatohet në bazë të standardeve ndërkombëtare.

Pasurimi i miellit mund të bëhet në bazë të gjendjes nutritive dhe vullnetare edhe me vitaminën A, vitaminën B12 dhe zinkun.